Gjermania ka ashpërsuar më tej politikat e saj të emigracionit, duke vendosur një regjim të ri kthimesh dhe kufizimesh në bashkëpunim me Italinë dhe Greqinë. Sipas një marrëveshjeje të re mes tre vendeve, emigrantët që janë regjistruar fillimisht në Itali ose Greqi, por më pas kanë udhëtuar drejt Gjermanisë, mund të kthehen mbrapsht në shtetet ku kanë hyrë për herë të parë në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja parashikon gjithashtu që Gjermania të përjashtohet nga detyrimi për të pranuar kërkues të rinj azili në kuadër të mekanizmit të “solidaritetit” të BE-së deri në mesin e vitit 2027. Kjo do të thotë se Berlini nuk do të marrë pjesë në skemat e shpërndarjes së emigrantëve mes vendeve anëtare për disa vite.
Për Italinë dhe Greqinë, kjo qasje nuk është e re. Sipas rregullave aktuale evropiane, përgjegjësia për përpunimin e kërkesës për azil i takon vendit ku emigranti ka hyrë për herë të parë në territorin e BE-së. Edhe nëse emigranti largohet më pas drejt vendeve të tjera, shteti i parë mbetet përgjegjës.
Nga ana e Gjermanisë, masa synon të ulë numrin e ashtuquajtura “kërkesa të dyta për azil”, pra rastet kur emigrantët që janë regjistruar në një vend tjetër të BE-së aplikojnë sërish për azil pas mbërritjes në territorin gjerman.
Zyrtarisht, autoritetet në Berlin e paraqesin këtë marrëveshje si një përpjekje për të “rivendosur rendin” në menaxhimin e emigracionit në nivel evropian, në një kohë kur presioni migrator dhe tensionet politike rreth kësaj çështjeje janë rritur ndjeshëm.
Megjithatë, marrëveshja ka ngjallur shqetësime në vendet kufitare të BE-së. Italia dhe Greqia rrezikojnë të mbeten sërish pika kryesore e grumbullimit të emigrantëve, duke u kthyer, sipas kritikëve, në “parkingun e Evropës”, ndërsa vendet e Evropës Veriore kontribuojnë më shumë financiarisht dhe më pak përmes zhvendosjes reale të njerëzve.
Debati mbi ndarjen e barrës së emigracionit mbetet i hapur në Bashkimin Evropian, ndërsa marrëveshja e re pritet të testojë edhe një herë kufijtë mes solidaritetit dhe interesave kombëtare.
(Burimi: Berlinomagazine)






