Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike dhe ka shfuqizuar vendimin e Kuvendit nr. 57/2025, datë 16.09.2025, me të cilin u ndryshua Rregullorja e Kuvendit dhe u rrit numri i komisioneve të përhershme nga 8 në 11.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës, trupa gjykuese nuk i ka hyrë përmbajtjes, objektit apo funksioneve të komisioneve të reja, por ka konstatuar shkelje të procedurës parlamentare, duke theksuar se është cenuar një e drejtë kushtetuese e deputetëve të opozitës në procesin e miratimit. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi i shfuqizuar, i miratuar më 16 shtator 2025, ndryshonte nenin 19 të Rregullores dhe parashikonte ngritjen e 11 komisioneve të përhershme, konkretisht:
- Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat
- Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
- Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes
- Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet
- Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
- Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
- Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
- Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën
- Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme
- Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale
Ky i fundit, i drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj, ka vepruar qё nga krijimi si tё kishte kompetenca të gjera për monitorimin e zbatimit të ligjeve nga ekzekutivi dhe institucionet e pavarura, si dhe për koordinimin e kontrollit postlegjislativ, përfshirë raportimin e institucioneve të drejtësisë përpara Kuvendit. Pikërisht ky komision ёshtё kthyer edhe në një nga pikat më të debatueshme politikisht.
Para ndryshimit, neni 19 i Rregullores parashikonte 8 komisione të përhershme, me ndarje klasike sipas fushave: Çështjet Ligjore, Integrimi Europian, Politika e Jashtme, Ekonomia dhe Financat, Siguria Kombëtare, Veprimtaritë Prodhuese, Punët Sociale dhe Shëndetësia, si dhe Edukimi dhe Media. Me vendimin e ri, disa prej tyre u ristrukturuan, u bashkuan ose u ndanë, duke krijuar arkitekturën e re me 11 komisione.
Meqenëse Gjykata ka parashikuar një afat 30-ditor për hyrjen në fuqi të vendimit, skema me 11 komisione mbetet formalisht në fuqi deri në përfundim të këtij afati. Nëse brenda kësaj periudhe Kuvendi nuk miraton një riorganizim të ri që respekton standardet procedurale të përcaktuara nga Gjykata, atëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit rikthehet automatikisht ndarja e mëparshme me 8 komisione të përhershme.
Njoftimi zyrtar i Gjykatёs Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikë së Shqipërisë (Gjykata) në datën 10.02.2026 shqyrtoi në seancë publike çështjen me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me objekt: “Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”.
Gjykata u mblodh në datën 23.02.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se sa i takon themelit të pretendimeve të kërkuesit, duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 57/2025, për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.
Gjithashtu Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizmit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi.
Për arsyet e mësipërme, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata, njëzëri, vendosi:
- Pranimin e kërkesës
- Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të datës 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
- Efektet shfuqizuese të këtij vendimi hyjnë në fuqi 30 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.






