Që prej orëve të para të pasdites, të gjitha redaksitë në vend janë përfshirë në një garë informacioni për mënyrën se si është marrë vendimi dhe si janë ndarë votat në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e Erion Veliajt. Ndërkohë që burimet e ndryshme kanë qarkulluar versione të ndryshme të balancës 5 me 3, i vetmi dokument zyrtar dhe i konfirmuar mbetet njoftimi i publikuar nga vetë Gjykata Kushtetuese, i cili shënon fazën e parë formale të vendimmarrjes.
Sipas këtij njoftimi zyrtar, Gjykata ka pranuar kërkesën e Erion Veliajt dhe ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 539/2025 për shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë Tiranë, si dhe dekretin e Presidentit të Republikës nr. 350/2025, që caktonte datën e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet.
Gjykata konfirmon juridiksionin kushtetues
Në thelb të vendimit, Gjykata thekson se ka juridiksion për kontrollin e vendimeve të qeverisë kur ato prekin një organ të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, duke e mbështetur këtë në nenin 115 të Kushtetutës.
Sipas trupës gjykuese, “shkarkimi nga detyra i organit të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore është një koncept kushtetues”, që mund të shqyrtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe jo nga gjykatat e zakonshme administrative.
Ky interpretim nënvizon mbrojtjen e autonomisë së pushtetit vendor dhe kufizon ndërhyrjet e ligjvënësit apo të qeverisë mbi institucionet e zgjedhura.
Cenimi i procesit të rregullt dhe mungesa e njoftimit
Në pjesёn e argumentimit tё bёrё publik, Gjykata konstaton se procedura e ndjekur nga Këshilli Bashkiak dhe më pas Këshilli i Ministrave nuk ka garantuar të drejtën për proces të rregullt të kërkuesit.
Në njoftim thuhet qartë: “Procedura e ndjekur, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.”
Gjykata thekson gjithashtu se institucionet publike mbajnë detyrimin për të respektuar garancitë procedurale, dhe se “marrja dijeni për datën e mbledhjes nuk e çliron organin publik nga përgjegjësia për të garantuar proces të drejtë.” Ky është një mesazh i qartë për respektimin e standardeve kushtetuese në çdo proces shkarkimi apo pezullimi të zgjedhurve vendorë.
Shkarkimi pa bazë kushtetuese
Gjykata vijon duke vlerësuar se vendimi i qeverisë për shkarkimin e Veliajt nuk ishte i justifikuar me shkelje të rënda të Kushtetutës apo ligjit, siç kërkon neni 115 i Kushtetutës.
Në njoftim thuhet se Këshilli i Ministrave nuk ka arritur të arsyetojë dhe të mbështesë juridikisht shkarkimin, ndërsa Gjykata nënvizon se interesi publik nuk mund të përdoret si justifikim për të cenuar garancitë kushtetuese të një mandati të zgjedhur drejtpërdrejt.
Anulimi i dekretit të Presidentit Begaj
Për pasojë, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar edhe dekretin presidencial për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, duke arsyetuar se ky dekret “është nxjerrë si rrjedhojë e një vendimi të pavlefshëm të qeverisë”.
Në këtë mënyrë, Gjykata e konsideron të pavlefshëm çdo akt të mëpasshëm që bazohet mbi një vendim të shfuqizuar, duke rikthyer gjendjen e mëparshme ligjore — pra, Veliaj mbetet në detyrë.
Balanca e votimit dhe ndarja brenda trupës
Megjithëse Gjykata nuk ka publikuar ende mënyrën e votimit, disa media raportojnë se vendimi është marrë me shumicë 5 me 3. Burime të pakonfirmuara deri më tani bëjnë me dije se pro vendimit kanë votuar gjyqtarët Sander Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Mariana Semini, ndërsa kundër janë shprehur Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi.
Ky raport votash tregon se mazhoranca e trupës ka mbështetur interpretimin që favorizon mbrojtjen e autonomisë vendore dhe garantimin e një procesi të drejtë, ndërsa kryetarja Zaçaj dhe dy anëtarë të tjerë kanë mbajtur qëndrim më restriktiv për kompetencat e Gjykatës.
Një vendim me jehonë më të gjerë se një rast i vetëm
Përtej rastit konkret të Erion Veliajt, vendimi i 3 nëntorit pritet të konsiderohet një moment reference për balancën e pushteteve në Shqipëri, sidomos në marrëdhënien mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.
Ai forcon parimin se mandatet e zgjedhura drejtpërdrejt nga qytetarët gëzojnë mbrojtje kushtetuese të posaçme dhe se çdo ndërhyrje administrative ndaj tyre duhet të jetë e arsyetuar, e motivuar dhe e justifikuar në nivel kushtetues.
Në përfundim, Gjykata deklaron nё njoftim se vendimi përfundimtar me arsyetimin e plotë do të publikohet brenda afateve ligjore, ndërsa opinioni publik dhe komuniteti juridik presin me interes të lartë të lexojnë detajet e plota të këtij vendimi që pritet të ndikojë në mënyrën se si kuptohet dhe zbatohet autonomia vendore në Shqipëri.
Njoftimi zyrtar: https://www.gjykatakushtetuese.gov.al/njoftime-per-median-dhe-publikun-per-vitin-2025/






