Nga kontrasT.al
Në një ceremoni të kuruar deri në detaj, me të ftuar, fjalime dhe tone vetëvlerësuese, Gjykata Kushtetuese e prezantoi raportin e punёs sё saj për vitin 2025 si një histori suksesi.
Po të lexosh raportin, fasada e shifrave dhe retorika pompoze kushtetuese, tё krijon pёrshtypjen e njё realiteti tjetёr, qё nuk lidhet me Shqipёrinё.
Por tabloja e realitetit “kushtetues” është krejt tjetër. Pa filtrin e propagandës dhe shifrave si ato tё Instat, qё e paraqesin ekonominё e vendit nё lulёzim e sipёr, Gjykata Kushtetuese suksesit tё pretenduar do duhet t’i jepte njё emёr tjetёr – dёshtim.
501 kërkesa janë regjistruar nё Gjykatёn Kushtetuese pёrgjatë vitit 2025 – një rritje me 17% krahasuar me një vit më parë. Ky fakt u interpretua nga kryetarja e Gjykatës si rritje e besimit të qytetarëve.
Fiona Papajorgji nuk mund tё gabojё kaq rёndё, sepse në një sistem drejtësie, rritja e kërkesave nё instancёn e fundit tё tij, nuk mund tё jetё thjesht indikator besimi – por mё shumё pёrpjekje dëshpërimi. Kur qytetarёt nuk gjejnё zgjidhje nё hallkat e tjera tё gjyqёsorit, ata mё sё shumti tё dёshpёruar, trokasin nё derёn e fundit tё tij, Gjykatёn Kushtetuese. Dhe shumё prej tyre e pёrdorin si kapёrcimin e njё pengese pёrfundimtare nё sistemin vendas, pёr tё shkuar nё gjetjen e shpresёs sё mohuar pёr drejtёsi – nё Strasburg.
Shifrat e “Instatit” kushtetues
Shifrat japin njё pёrgjigje tё qartё tё funksionimit tё Gjykatёs Kushtetuese nё vitin e “lavdishёm” 2025.
Nga 501 kërkesa, plot 316 janë vendime moskalimi nga kolegjet – pra rreth 74% e të gjithë vendimmarrjes. Në terma praktikë, kjo do të thotë se shumica dërrmuese e qytetarëve as nuk arritën të hyjnë realisht në shqyrtimin kushtetues. Kërkesat e tyre u filtruan dhe u refuzuan qё në fazën paraprake, pa kaluar fare në njё analizë të plotë.
Kësaj i shtohen edhe 28 vendime të tjera moskalimi nga Mbledhja e Gjyqtarëve. Totali tregon se mbi 340 kërkesa u ndalën në derë, pa u futur dot nё gjykatё.
Vetëm 85 vendime përfundimtare janë dhënë gjatë gjithë vitit 2025– pra, rreth 20% e vendimmarrjeve. Një shifër që ngre pikëpyetje serioze për funksionimin real të Gjykatës Kushtetuese:
A e ka ushtruar nё 2025 funksionin e saj si garant i të drejtave dhe lirive themelore kjo gjykatё?
Ndërkohë, shifra prej 429 vendimesh të arsyetuara përbën 71% të kërkesave, por kjo përfshin edhe vendimet e moskalimit nё gjykime– pra nuk është një tregues i drejtpërdrejtë i drejtësisë substanciale, por më shumë i procedurës së refuzimit.

Edhe koha mesatare e shqyrtimit – 8 muaj për vendime përfundimtare dhe 3 muaj për moskalime – që paraqitet si respektim afatesh, në thelb reflekton një sistem që funksionon më shpejt për të refuzuar sesa për të dhënë drejtësi.
Në raport theksohet me krenari se nuk ka çështje të tejzgjatura apo të prapambetura dhe se nuk ka pasur kërkesa për tejzgjatje procesi. Por kjo nuk është domosdoshmërisht tregues efikasiteti. Në një sistem ku shumica e kërkesave nuk kalojnë filtrin fillestar, mungesa e vonesave mund të jetë më shumë pasojë e kufizimit të hyrjes sesa e përshpejtimit të drejtësisë.
“Departamenti” i “shërbimeve ndaj publikut” – vizita në faqe, ndjekje në rrjete sociale, ndërveprime – më shumë i ngjan një raporti marketingu sesa një analize të një institucioni kushtetues. Sepse drejtësia nuk matet me “përshtypje” apo klikime, por me akses real dhe mbrojtje efektive të të drejtave tё qytetarёve qё kёrkojnё “verdikte kushtetuese”.
Në thelb, raporti përpiqet të ndërtojë një narrativë suksesi mbi një realitet që tregon të kundërtën: një gjykatë që pranon gjithnjë e më shumë kërkesa, por shqyrton gjithnjë e më pak prej tyre në themel.
Statistika tregon tё vёrtetёn: janё 17% më shumë kërkesa në vitin 2025. Por kjo nuk do të thotë se qytetarët besojnë më shumë, por se kanë më shumë probleme, më shumë padrejtësi ndodhin nё jetёn e tyre dhe kanё gjetur shumё më pak “dyer” zgjidhjesh në sistemin gjyqësor. Dhe kur dera e fundit, ajo e Gjykatës Kushtetuese, nuk hapet për shumicën prej tyre, atëherë rritja e kërkesave nuk është tregues besimi – por dëshmia e një krize të thellë BESIMI.
Nё kёndin e vёshtrimit publik, raporti “kushtetues” pёr vitin 2025 nuk ёshtё njё histori suksesi, aq mё tepёr pёr t’u festuar nё ceremoni luksoze, por njё dokument qё kishte nevojё pёr njё analizё reale nga tё gjithё aktorёt dhe faktorёt qё prodhojnё drejtёsinё, e jo vetёm nga ata qё “e refuzojnё” atё nga brenda mureve tё Gjykatёs Kushtetuese.
Drejtësia nuk matet me numra –as me shifra alla Instat, ajo preket ҫdo ditё, si ekonomia e njё vendi qё nuk ka as njёrёn dhe as tjetrёn nё “tabelёn e nderit”.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.









