Nga kontrasT.al
Njoftimi zyrtar i vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për çështjen e ngritur nga Naureda Llagami, i publikuar sot në faqen e institucionit, lidhet me kontestimin e saj ndaj procesit të votimit në Mbledhjen e Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila më 30 shtator 2025 shpalli të zgjedhur Asim Vokshin si anëtar të ri të Gjykatës Kushtetuese, duke mos i njohur Llagamit votën që ajo pretendonte se i takonte.
Mirëpo njoftimi shpalos një situatë të pazakontë dhe thellësisht problematike: kërkesa e saj “konsiderohet e rrëzuar” jo sepse një shumicë gjyqtarësh tё Gjykatёs Kushtetuese arritёn që të vlerësonin argumentet dhe të dilnin në një përfundim juridik, por sepse gjyqtarët nuk arritën kuorumin e detyrueshëm për të marrë një vendim.
Gjykata vetë e pranon në njoftim se: “votat e gjyqtarëve u ndanë në lidhje me legjitimimin ratione personae të kërkueses, duke mos u arritur kuorumi i kërkuar nga neni 133, pika 1, i Kushtetutës dhe neni 72, pika 2, i ligjit nr. 8577/2000. Në këto kushte, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000 kërkesa konsiderohet e rrëzuar.”
Po ҫfarё thotё pika 4, e nenit 73, tё ligjit pёr Gjykatёn Kushtetuese, pikё e shtuar me ligjin nr. 99/2016, nё kuadёr tё Reformёs nё Drejtёsi? Kur nuk formohet shumica prej 5 gjyqtarësh, kërkesa konsiderohet e rrëzuar.
Kjo është formula vendimtare: nuk është Gjykata që ka vendosur të rrëzojë kërkesën – është ligji organik që sjell kёtё pasojë automatike, sapo nuk arrihet shumica minimale prej pesë votash. Ky është thelbi i vendimmarrjes së sotme.
Në njoftim, Gjykata deklaron fillimisht njëzëri se ka juridiksion për çështjen, si për ankimimin kundër vendimit gjyqësor (neni 131/f Kushtetuta), ashtu edhe për verifikimin e procesit të zgjedhjes së funksionarëve të organeve kushtetuese (neni 131/e). Pra, Gjykata e pranon se është organi që duhet të shqyrtojë mosmarrëveshjen.
Por më pas, procesi ngec pikërisht te filtri i legjitimimit të kërkueses. Këtu, gjyqtarët ndahen në dy qëndrime:
Një pjesë e gjyqtarëve arsyeton se një individ nuk është i legjitimuar të kërkojë kontroll kushtetues për zgjedhjen e një gjyqtari kushtetues, duke argumentuar se “e drejta për t’u zgjedhur gjyqtar i GJK-së nuk është e drejtë themelore kushtetuese”.
Pjesa tjetër e gjyqtarëve mbron të kundërtën: kandidati, si pjesëmarrës në procesin kushtetues të zgjedhjes, ka interes të drejtpërdrejtë dhe është i legjitimuar sipas nenit 131/e dhe 134 të Kushtetutës.
Në një vendimmarrje normale, një nga këto dy teori do të fitonte shumicën e nevojshme dhe Gjykata do të jepte një qëndrim të qartë juridik. Por kjo nuk ndodhi: nuk pati pesë vota për asnjërin qëndrim. Si pasojë, nuk pati vendim – pati vetëm procedurë, që çon automatikisht në rrëzim formal të kërkesës.
Kjo situatë ngre një sërë shqetësimesh serioze për mënyrën se si po funksionon Gjykata Kushtetuese. Para së gjithash, duket qartë se gjykata i është shmangur substancës së çështjes duke u fshehur pas procedurës: rezultati nuk është fryt i një vlerësimi kushtetues të procesit të zgjedhjes së një anëtari të saj, por thjesht pasojë e një bllokimi të brendshëm. Status quo-ja, pra zgjedhja e Asim Vokshit, mbetet në fuqi jo sepse Gjykata tha se ishte e ligjshme, por sepse pesë votat e kërkuara nuk u mblodhën. Rrjedhimisht, rrëzimi nuk ka natyrën e një vendimi juridik mbi përmbajtjen, por të një efekti automatik që vjen nga mungesa e shumicës — një mekanizëm procedural që nuk jep asnjë përgjigje për meritën e pretendimeve.
Kjo krijon një precedent të rrezikshëm për kontrollin e proceseve kushtetuese: nëse një kandidat për Gjykatën Kushtetuese nuk mund të marrë kurrë një përgjigje të qartë ligjore për ligjshmërinë e procesit të zgjedhjes, sepse gjykata mund të ngecë dhe automatikisht të rrëzojë kërkesën, atëherë balancat e brendshme kushtetuese humbasin kuptimin. Më shqetësuesja është se Gjykata pranoi se kishte juridiksion për ta shqyrtuar këtë mosmarrëveshje — por nuk e ushtroi dot atë. Pra institucioni që ka detyrimin ekskluziv që të garantojë rregullsinë e procesit të zgjedhjes së funksionarëve kushtetues nuk arrit të përmbushte funksionin e vet minimal, atë të dhënies së një vendimi. Në vend të një analize dhe një vendimi substancial, kemi një rrëzim teknik, i cili lë të paprekur pikërisht çështjen që duhej të sqarohej.
Në thelb, ky rast nuk flet më shumë për Naureda Llagamin apo Asim Vokshin, sesa për vetë Gjykatën Kushtetuese dhe aftësinë e saj për të ushtruar funksionin që Kushtetuta i ka besuar. Kur një gjykatë me kompetencë të plotë deklaron se e ka juridiksionin, por nuk arrin të marrë vendim sepse është e ndarë, ajo i largohet rolit të arbitrit përfundimtar dhe garantit tё Kushtetutёs dhe i afrohet rrezikshëm rolit të një institucioni që dorëzohet përballë përgjegjësisë së tij.
Pikërisht për këtë arsye njoftimi i sotëm nuk është thjesht një sqarim procedural – është një pasqyrë e një mosfunksionimi thelbësor: kur nuk ka pesë vota, kërkesa rrëzohet dhe drejtësia kushtetuese nuk jepet.






