Gjykata e Tiranës ka rrëzuar masën e sigurimit “pezullim nga detyra” për kreun e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Tiranë, Rigers Sheqeri, duke e rikthyer atë në funksion vetëm dy ditë pasi vetë gjykata kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë.
Fillimisht, organi i akuzës kishte kërkuar pezullimin e tij, duke ngritur dyshime për “shpërdorim detyre” në lidhje me një ndërtim pa leje në zonën e Farkës. Sipas Prokurorisë, Sheqeri nuk kishte marrë masat e detyrueshme ligjore ndaj subjektit ndërtues, pavarësisht konstatimit të shkeljes nga inspektorët.
Në dosje pretendohet se, ndonëse ishte hartuar procesverbal për ndërtim të paligjshëm, procedura është mbyllur pa u vendosur asnjë masë administrative – as pezullim punimesh, as gjobë, as prishje e objektit, siç kërkon ligji. Për të njëjtën çështje janë përfshirë edhe punonjës të tjerë të institucionit, ndërsa për administratorin e kompanisë janë kërkuar masa të tjera sigurie.
Por vetëm 48 orë më pas, i gjithë ky ndërtim akuzash është rrëzuar nga gjykata, duke zhbërë masën e pezullimit dhe duke i hapur rrugë rikthimit në detyrë të Sheqerit.
Zhvillimi hedh hije mbi mënyrën se si u ndërtua dhe u komunikua publikisht kjo çështje nga Prokuroria, e cila nxitoi të kërkojë masa kufizuese dhe të dalë me njoftim zyrtar, pa arritur të lёrё nё kёmbё qëndrueshmërinё e akuzave tё saj në gjykatë. Në fund, për 48 orë, akuza humbi peshë – dhe bashkë me të edhe efekti i saj publik.






