Një grabitje e paparë ka tronditur Parisin të dielën e 19 tetorit 2025, kur katër persona hynë në muzeun më të famshëm të botës, Louvre, dhe morën tetë objekte historike të paçmueshme në vetëm shtatë minuta. Ngjarja ndodhi në galerinë e njohur “Galerie d’Apollon”, e cila strehon bizhuteritë e kurorës franceze. Grupi, i përshkruar nga autoritetet si një “njësi goditëse profesionale”, përdori mjete prerëse elektrike për të hyrë në ndërtesë nga ana që shikon lumin Senë, ku aktualisht po kryhen punime restaurimi. Sipas hetuesve, ata vepruan me saktësi kirurgjikale, duke thyer vitrinat e ekspozitës dhe u larguan pa lënë gjurmë, ndërkohë që vizitorët sapo kishin filluar të hynin në muze.
Nga galeria u morën disa nga bizhuteritë më të vlefshme që i përkisnin mbretëreshave dhe perandoreshave franceze. Sipas Ministrisë së Kulturës, ndër objektet e grabitura janë tiara, varësja dhe një vath nga seti i mbretëreshave Marie-Amélie dhe Hortense, një varëse me smeraldё dhe një palë vathë nga seti i perandoreshës Marie-Louise, si dhe bizhuteri tё perandoreshës Eugénie. Një nga objektet, kurora e perandoreshës Eugénie e stolisur me 1.354 diamante dhe 56 smeraldё, u gjet e dëmtuar jashtë muzeut, me gjasë u ka rёnё hajdutëve gjatë arratisjes. Fatmirësisht, diamanti i famshëm “Regent”, me vlerë mbi 60 milionë dollarë, që ndodhej në të njëjtën galeri, nuk u prek.

Ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, deklaroi se hajdutët kanë vepruar me profesionalizëm të lartë dhe pa ushtruar dhunë. “Ata hynë qetësisht, brenda katër minutash thyen vitrinat dhe dolën. Asnjë person nuk u lëndua, gjithçka ishte e planifikuar me kujdes,” tha ajo për televizionin TF1. Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, konfirmoi se bëhet fjalë për një ekip të mirëorganizuar që kishte studiuar terrenin dhe sistemet e sigurisë paraprakisht. Presidenti Emmanuel Macron reagoi menjëherë duke e cilësuar ngjarjen si “një sulm ndaj trashëgimisë kulturore të Francës” dhe premtoi se autorët do të kapen dhe veprat do të kthehen. “Gjithçka po bëhet për të gjetur fajtorët dhe për të rikthyer thesaret tona kombëtare,” shkroi ai në rrjetet sociale.
Muzeu Louvre u mbyll menjëherë pas ngjarjes dhe vizitorët u evakuuan, ndërsa policia rrethoi zonën përreth dhe bllokoi bulevardin Quai François Mitterrand. Skena u përshkrua nga dëshmitarët si e “përbindshme dhe e pabesueshme”, me disa prej tyre që menduan fillimisht se po xhirohej një film për shkak të shpejtësisë dhe qetësisë me të cilën u veprua. Ministri i Brendshëm Laurent Nunez e cilësoi grabitjen si “një operacion të nivelit të lartë”, duke theksuar se hajdutët kishin bërë zbulime paraprake dhe përdorën pajisje industriale për të prerë xhamat me saktësi milimetrike.
Media franceze e ka quajtur këtë ngjarje “vjedhja e dekadës”, duke e krahasuar me grabitjen e famshme të bizhuterive mbretërore në Muzeun Green Vault të Dresdenit në vitin 2019. Ngjarja ka ringjallur kujtimet e rasteve të tjera të ngjashme në Francë, përfshirë vjedhjen e mostrave të arit nga Muzeu i Historisë Natyrore në Paris në shtator dhe vjedhjen me sëpata në muzeun Cognacq-Jay në nëntorin e kaluar. Ekspertët e sigurisë thonë se ky është një shembull tipik i “krimit të pastër”, të realizuar pa dhunë dhe me përgatitje të gjatë.
Louvre ka një histori të gjatë grabitjesh, duke filluar që nga viti 1911 kur “Mona Lisa” u vodh nga një ish-punonjës që e fshehu për dy vjet para se të kapej. Sot, më shumë se një shekull më vonë, historia duket se përsëritet në një formë moderne që ngre pyetje serioze mbi sigurinë në muzeun më të vizituar të botës, që pret mbi tetë milionë vizitorë në vit. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave dhe po ndjekin gjurmët e automjetit të përdorur për arratisje, duke mos përjashtuar mundësinë e një rrjeti ndërkombëtar që merret me tregtinë e paligjshme të artefakteve.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik francez dhe botëror, duke u konsideruar si një nga sulmet më të guximshme ndaj trashëgimisë kulturore evropiane në dekadat e fundit. Nëse objektet nuk gjenden brenda javëve të para, ekspertët paralajmërojnë se gjasat për rikuperimin e tyre bien ndjeshëm. Për momentin, Franca po përballet me një nga hetimet më të mëdha të viteve të fundit, ndërsa bota e artit po e përjeton me ankth këtë episod që mund të mbetet në histori si “grabitja e shekullit”.
(Burimi: France 24, AFP, Reuters, AP News, Le Parisien)






