Sezoni i gripit ka nisur më herët se zakonisht në disa vende evropiane, duke shkaktuar rritje të shpejtë të infeksioneve të lidhura me një nënvariant të ri të virusit A (H3N2), i njohur si varianti K. Në Spanjë, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit, vendi ka kaluar tashmë në fazën epidemiologjike me mbi 112 raste për 100 mijë banorë, ndërsa një vit më parë në të njëjtën periudhë regjistroheshin vetëm rreth 12 raste. Edhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka paralajmëruar për një valë të hershme gripi në shumë shtete të Evropës, duke kërkuar rritje urgjente të fushatës së vaksinimit.
Ekspertët shpjegojnë se mutacionet e variantit K e bëjnë më të vështirë njohjen e virusit nga sistemi imunitar, gjë që favorizon përhapjen e tij. Nuk ka prova që ky variant të jetë më agresiv, por përhapja e shpejtë mund të çojë në rritje të numrit total të rasteve dhe, si rrjedhojë, më shumë komplikacione pёr të moshuarit, pacientët kronikë, fëmijët e vegjël dhe gratё shtatzëna. Epidemiologët paralajmërojnë se sezoni i gripit do të jetë më intensiv dhe mund të vendosë presion të madh mbi shërbimet shëndetësore, sidomos nëse vaksinimi mbetet i ulët.
Edhe pse Shqipëria deri më tani nuk ka raportuar një rritje të ngjashme të rasteve dhe nuk ka të dhëna zyrtare për praninë e variantit K, specialistët e shëndetit publik theksojnë se situata në Evropë është një sinjal paralajmërues. Lëvizjet e mëdha të popullsisë gjatë festave dhe udhëtimeve rrisin mundësinë që virusi të qarkullojë edhe në vend. Për këtë arsye, respektimi i masave elementare mbrojtëse konsiderohen mjetet më efektive për të ulur rrezikun në javët dhe muajt në vijim.
Mjekët këshillojnë që qytetarët të mos e neglizhojnë gripin sezonal, sepse ai mund të shkaktojë komplikacione serioze sidomos te grupet e rrezikuara, duke përfshirë pneumoninë dhe nevojën për trajtim spitalor. Ekspertët kujtojnë se higjiena e duarve, ajrimi i mjediseve të mbyllura dhe qëndrimi në shtëpi kur jemi me simptoma mbeten hapa të thjeshtë, por shumë efektivë për të kufizuar përhapjen.
Edhe pse nuk ka vend për panik, ka vend për përgjegjësi dhe vigjilencë. Situata në Evropë tregon se sezoni aktual i gripit ka potencial të jetë më i rëndë dhe më i hershëm se zakonisht, prandaj informimi dhe parandalimi janë thelbësorë edhe për Shqipërinë.






