Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se javën e ardhshme do të zhvillojë një takim me zyrtarë të lartë danezë për të diskutuar çështjen e Groenlandës, në një moment kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë po përshkallëzohen ndjeshëm brenda NATO-s.
Takimi vjen pas kërkesës urgjente të Danimarkës dhe autoriteteve të Groenlandës, të alarmuara nga retorika gjithnjë e më e ashpër e presidentit Donald Trump, i cili ka kërcënuar se SHBA-ja mund të marrë kontrollin e territorit arktik, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake. Zyrtarë danezë kanë paralajmëruar se një veprim i tillë do të përbënte një goditje fatale për aleancën perëndimore dhe rendin e sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Duke folur për gazetarët në Uashington, Rubio shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë mbi mundësinë e ndërhyrjes ushtarake, duke theksuar se administrata amerikane preferon dialogun. “Nuk jam këtu për të folur për Danimarkën apo për ndërhyrje ushtarake. Do të takohem me ta javën tjetër dhe atëherë do t’i zhvillojmë këto biseda”, deklaroi ai, duke shtuar se çdo president amerikan mban gjithmonë të hapura të gjitha opsionet për adresimin e kërcënimeve të sigurisë kombëtare.
Ndërkohë, Franca ka bërë të ditur se po koordinon qëndrimin me partnerët evropianë në rast se SHBA-ja do të ndërmarrë hapa konkretë për pushtimin e Groenlandës. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se çdo reagim duhet të jetë i përbashkët dhe në kuadër të unitetit evropian.
Rubio theksoi se interesi i Trump për Groenlandën nuk është i ri, duke kujtuar se presidenti amerikan ka folur për blerjen e ishullit që gjatë mandatit të tij të parë. Edhe Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Trump preferon diplomacinë, por nuk është i gatshëm të përjashtojë asnjë alternativë. Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, deklaroi se Groenlanda shihet si thelbësore për interesat strategjike të SHBA-së, veçanërisht për të frenuar ndikimin rus dhe kinez në Arktik.
Sipas saj, kontrolli më i madh mbi rajonin do t’i jepte Uashingtonit avantazh në një zonë që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi gjeopolitike. Ajo shtoi se administrata Trump nuk dëshiron të zbulojë paraprakisht strategjinë e saj, ndryshe nga presidentët e mëparshëm.
Vetë Trump u përpoq të qetësonte aleatët duke deklaruar se SHBA-ja nuk do të largohet nga NATO, megjithëse kritikoi sërish aleancën për mungesë kontributesh financiare nga disa vende anëtare. Ai theksoi se pa SHBA-në, NATO nuk do të kishte fuqinë frikësuese ndaj Rusisë dhe Kinës.
Pas deklaratave të fundit nga zyrtarë të afërt me Trump, që sugjeruan se përdorimi i forcës nuk përjashtohet, liderët evropianë u rreshtuan publikisht në mbështetje të Danimarkës dhe Groenlandës, duke theksuar se ishulli “i përket popullit të tij”. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, konfirmoi se po kërkohet një dialog urgjent me Uashingtonin për të ulur tensionet, duke deklaruar se “retorika duhet të zëvendësohet me një bisedë të arsyeshme”.
Autoritetet daneze kanë kundërshtuar gjithashtu pretendimet e SHBA-së se Danimarka nuk po bën mjaftueshëm për mbrojtjen e Groenlandës. Ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, theksoi se vendi ka investuar rreth 100 miliardë krona daneze në kapacitete sigurie, ndërsa Rasmussen i quajti të pasakta pohimet për prani masive ruse dhe kineze në territorin groenlandez.
Kriza për Groenlandën vjen në një kontekst ndërkombëtar tashmë të tensionuar, sidomos pas operacionit të fundit ushtarak amerikan në Venezuelë. Këto zhvillime kanë shtuar frikën se retorika e administratës Trump mund të çojë në përçarje serioze brenda NATO-s, duke vënë në pikëpyetje stabilitetin e aleancës më të rëndësishme ushtarake perëndimore.
(Burimi: The Guardian)






