Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka habitur anëtarët e Komisionit të Ekonomisë me deklaratën e tij se pavarësia e institucionit që drejton është cënuar. “Pavarësia e Bankës së Shqipërisë, shpesh herë ka element që ndikojnë në cenimin e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë nga shumë faktorë. Bankës së Shqipërisë i kërkohet llogari që janë jashtë tagrit ligjor të Bankës së Shqipërisë, ky është cenim i pavarësisë. Këto dy vitet e fundit e kam ndjerë rëndë këtë gjë, por s’dua të hyjë në detaje. Për shkak të këtij presioni Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e lirë për të ushtruar detyrat e saj, por s’dua të zgjatem,” deklaroi Sejko.
Por menjëherë pas fjalës së tij, ka ardhur një reagim i ashpër nga gazetarja Ola Xama, e cila përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale e ka “kryqëzuar” guvernatorin, duke i kujtuar se pavarësia nuk është privilegj për t’u mbrojtur, por përgjegjësi për t’u ushtruar me integritet.
Xama rendit një sërë akuzash ndaj Bankës së Shqipërisë, duke e konsideruar deklaratën e Sejkos si një përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësive dhe për të justifikuar dështimet e institucionit që ai drejton.
Postimi i plotё i Xamas:
A i është prekur pavarësia Bankës së Shqipërisë?
Nëse guvernatori i Bankës së Shqipërisë pranon se bankës qëndrore i është prekur pavarësia, do të duhej që menjëherë pas kësaj të tregonte dhe kallzimin penal të depozituar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm të zyrtarit apo personit që ia ka bërë.
Nëse guvernatori i Bankës së Shqipërisë e çon më tej dhe thotë se banka qëndrore për shkak të këtyre presioneve nuk ka ushtruar si duhet funksionin e saj, atëherë sapo ka pranuar se ka kryer shpërdorim detyre. Nëse nuk e bën dot detyrën si duhet dhe nuk i mban dot presionet, jep dorëheqjen.
Tani e gjithë kjo deklaratë duket se lidhet me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës ndaj Prokurorisë së Posaçme për të hetuar përgjegjësinë e guvernatorit në çështjen e mikrokredive. Mbase zyrtarët e Bankës së Shqipërisë mendojnë se m.q.s. banka është institucion i pavarur, duhet të ketë imunitet nga hetimi.
Në fakt të jesh i pavarur do të thotë të mos licencosh banka me pronarë të regjistruar në shtete Offshore sepse të shantazhojnë me një raport auditi të cilin KLSH nuk e ka publikuar kurrë.
Të jesh i pavarur do të thotë të mos miratosh shitje të bankave në pronësi të grupeve pa asnjë përvojë dhe të ekspozuar në tregje të tjera -që deformojnë konkurrencën (njëri prej të cilëve ka të regjistruar shumicën e aseteve në pasuri të patundshme!)
Të jesh i pavarur do të thotë të mos të ta zgjedhë Kryeministria fituesin e tenderit për rikonstruksionin e godinës dhe të siglosh procedurën ‘sekret’.
Të jesh i pavarur do të thotë që kur të dalësh në konferencë për shtyp të pranosh arsye të pashpjegueshme të mbiçmimit të monedhës kombëtare dhe mos bësh filozofi ekonometrie me ‘fondamentet’ që i shënon ‘apriori’.
Të jesh i pavarur do të thotë të refuzosh ndërhyrje, të mos e kthesh institucionin në agjenci punësimi për familjarët e deputetëve, prokurorëve dhe pronarëve të medias.
Pavarësia fitohet duke vepruar si i pavarur, nuk përdoret si arsye për t’u mbrojtur kur të duhet!







