Aktori, producenti dhe skenaristi i madh britanik, Stephen Graham vjen në kinematë botërore me filmin e ri “Heel” të regjisorit të talentuar polak Jan Komasa.
Graham, që mahniti me dramën psikologjike – serialin televiziv “Adolescence” – i shfaqur nga Netflix në 2025, kësaj here luan rolin e “Chris”, një “baba” zëvendësues i zhgënjyer, me sjellje në dukje të rregullt që përpiqet të ndreqë një adoleshent me metoda mizore, krejtësisht të pazakonta, ku “lundrohet” midis sadizmit dhe mirësisë.
Ai luan me personazhin kryesor problematik, Tommy, një huligan 19-vjeçar, energjia kundërthënëse e të cilit shfaqet plotësisht në sekuencën “hard” hapëse të filmit. Gjithë kohën i dehur, nën ndikimin e drogës dhe abuziv i pandalshëm, djaloshi Tommy përfaqëson “një ciklon sjelljesh të neveritshme”.
Ngjarjet zhvillohen në një shtëpi të izoluar në fshat, ku Tommy i lidhur me zinxhir metalik mbahet peng nga Chris (Stephen Graham) dhe gruaja e tij, Kathryn (Andrea Riseborough).
“Heel” / “Qelbësira” nuk është një film horror, por një mesazh i fortë artistik mbi prishjen e shoqërisë, i mbështjellë ky, me petkun e një thrilleri psikologjik.
Filmi “Heel” më shumë se çdo gjë tjetër, trajton natyrën e familjes dhe se si ajo që mund të duket ideale nga jashtë është krejtësisht ndryshe në të vërtetë.
I mbushur me ADN-në e filmit “A Clockwork Orange” (1971) të Kubrick-ut, “Heel” është një studim i vështirë i nënshtrimit dhe transformimit.
Interpretimet e forta nga Boon dhe Graham krijojnë një ekuilibër të brishtë që lëkundet midis ankthit dhe absurditetit. Kur Chris rreh dhunshëm Tommy-n, ajo që shohim në fytyrën e Chris-it nuk është sadizëm, por diçka më shumë si thyerje zemre; dhe kur Tommy qan, ai është po aq i tronditur sa kur zbulon humanitetin e tij.
I xhiruar në Yorkshire dhe Varshavë, “Heel” futet bukur në ambiente ku shijohen fabula të zeza me qendra morale të përtypshme.
Regjisori Komasa është futur me “Heel” në një eksplorim të thellë të depresionit të adoleshentëve dhe ndikimit shkatërrues të teknologjisë.
A i ka zgjedhur t’i tregojë publikut diçka reale për jetën e të rinjve tanë, diçka të dhimbshme që po humbet çdo ditë dhe më shumë.
Filmi “Heel” nuk duhet humbur bashkë me lojën e papërsëritshme të Anson Boon (Tommy) dhe Stephen Graham (Chris).






