Hezbollahu ka rihapur zyrtarisht frontin verior të konfliktit, duke hedhur në erë përpjekjet për ta mbajtur luftën të kufizuar vetëm në përplasjen SHBA–Izrael kundër Iranit. Në orët e para të mëngjesit, grupi i mbështetur nga Teherani lëshoi raketa dhe dronë drejt një baze ushtarake në Izraelin verior, duke e cilësuar sulmin si hakmarrje për vrasjen e udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.
Ushtria izraelite deklaroi se shumica e predhave u interceptuan dhe të tjerat ranë në zona të hapura, pa shkaktuar dëme të konsiderueshme. Megjithatë, simbolika e sulmit është shumë më e madhe se pasojat e tij të menjëhershme: Hezbollahu ka hyrë drejtpërdrejt në konflikt, duke rrezikuar përshkallëzim të gjerë rajonal.
Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, e quajti sulmin “akt të papërgjegjshëm dhe të dyshimtë”, duke theksuar se vendi nuk mund të përballojë një tjetër luftë shkatërrimtare. Ai kërkoi ndalimin e aktiviteteve ushtarake që mund ta fusin Libanin në një përballje të re me Izraelin. Edhe më herët, ministri i Jashtëm libanez kishte paralajmëruar se çdo ndërhyrje e Hezbollahut do të sillte goditje të drejtpërdrejta izraelite mbi infrastrukturën libaneze.
Izraeli duket se kishte kohë që përgatitej për këtë skenar. Edhe pas armëpushimit të vitit 2024, ushtria izraelite ka kryer goditje pothuajse të përditshme në Liban, duke akuzuar Hezbollahun për riarmatim dhe rindërtim të kapaciteteve ushtarake. Në muajt e fundit janë raportuar eliminime të figurave të larta të grupit, përfshirë komandantë kyç të strukturës së tij ushtarake.
Pas sulmit të fundit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit paralajmëruan se Hezbollahu “do të paguajë një çmim të lartë”. Brenda pak orësh, sulmet ajrore izraelite goditën objektiva në Bejrut dhe në jug të Libanit. Ministria e Shëndetësisë në Liban raportoi dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur, ndërsa bilanci pritet të ndryshojë me vazhdimin e operacioneve.
Një ditë më parë, Izraeli njoftoi mobilizimin e 100 mijë rezervistëve, shumë prej të cilëve janë dislokuar në kufirin verior. Ushtria mban ende nën kontroll disa pika strategjike përtej kufirit, të përdorura si poste vëzhgimi. Zyrtarët ushtarakë izraelitë nuk kanë përjashtuar asnjë skenar, përfshirë operacione më të gjera tokësore, megjithëse publikisht theksojnë se nuk ka vendim të menjëhershëm për pushtim.
Sinjalet nga terreni sugjerojnë se konflikti mund të zgjasë. Zëdhënës të ushtrisë izraelite kanë paralajmëruar se nëse Hezbollahu vijon përshkallëzimin, përplasja mund të shtrihet për javë të tëra. Në këtë fazë, kufiri Izrael–Liban rrezikon të kthehet sërish në një teatër lufte të plotë, duke e zgjeruar krizën rajonale në një konflikt shumëfrontësh me pasoja të paparashikueshme për Lindjen e Mesme.






