Më shumë se tri dekada pas intervistës së famshme në “60 Minutes”, ku mbrojti publikisht bashkëshortin e saj mes akuzave për tradhti, Hillary Clinton gjendet sërish në një pozicion të njohur: duke iu përgjigjur pyetjeve për veprimet dhe lidhjet e Bill Clintonit.
Ish-zonja e parë, ish-senatore dhe ish-sekretare e Shtetit dha një dëshmi me dyer të mbyllura përpara Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, në kuadër të hetimit mbi Jeffrey Epstein. Dëshmia u dëgjua në Chappaqua, pranë shtëpisë së saj në Nju Jork.
Një ditë më pas do të dëshmojë edhe Bill Clinton, duke u bërë ish-presidenti i parë në histori që detyrohet të paraqitet në një hetim kongresi kundër vullnetit të tij.
Ndryshe nga bashkëshorti i saj, Hillary Clinton nuk ka pasur marrëdhënie të dokumentuara me Epstein. Ajo ka deklaruar se “nuk e mban mend të ketë folur ndonjëherë me të” dhe se e ka takuar bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell, vetëm disa herë. Në dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë, emri i saj përmendet kryesisht në artikuj lajmesh për fushatën e saj presidenciale të vitit 2016, të cilat i ishin dërguar Epsteinit.
Bill Clinton, nga ana tjetër, ka pranuar se ka udhëtuar katër herë me avionin privat të Epstein në vitet 2002–2003, para se ky i fundit të dënohej për herë të parë për krime seksuale. Fotografi të ish-presidentit shfaqen gjithashtu në dosjet e publikuara.
Republikani James Comer, kryetar i Komitetit të Mbikëqyrjes, ka ngritur pikëpyetje edhe për një ish-punonjës të fushatës së Hillary Clinton në vitin 2008 dhe më pas në Departamentin e Shtetit, i cili rezulton të jetë nipi i Ghislaine Maxwell. Avokatët e Clintonit kanë deklaruar se ajo nuk kishte dijeni për lidhjen familjare të tij.
Megjithatë, për shumë mbështetës të saj, përfshirja e Hillary Clinton në këtë hetim shihet si një vazhdimësi e një modeli të vjetër politik: trajtimi i çiftit Clinton si një njësi e vetme, ku sulmet ndaj njërit shtrihen automatikisht te tjetri.
“Ajo ka kaluar pothuajse gjithë jetën e saj martesore duke iu përgjigjur pyetjeve për veprimet e bashkëshortit,” ka thënë Patti Solis Doyle, ish-këshilltare e saj e lartë. “Nuk ka asnjë arsye që të përballet me këtë situatë, kur nuk ka lidhje me çështjen.”
Edhe disa demokratë në Kongres kanë shprehur skepticizëm për arsyetimin e thirrjes së saj. Vetëm tre demokratë votuan për ta shpallur atë në mospërfillje të Kongresit për refuzimin fillestar për të dëshmuar, krahasuar me nëntë që votuan kundër Bill Clintonit.
Vetë Hillary Clinton, duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka deklaruar se mbështet publikimin e plotë të dokumenteve dhe mbajtjen përgjegjëse të kujtdo që ka kryer krime. Por ajo ka shtuar se trajtimi i saj dhe i bashkëshortit të saj nuk ka qenë i barabartë me të tjerët.
“Dua që të gjithë të trajtohen njësoj,” është shprehur ajo. “Kjo nuk ka ndodhur me mua dhe bashkëshortin tim.”
Për shumë vëzhgues, dëshmia e saj nuk është thjesht një episod i ri në sagën Epstein, por një rikthim i një narrative të vjetër amerikane: Hillary Clinton, sërish e thirrur të japë llogari për historinë dhe hijet politike të bashkëshortit të saj.
(Burimi: NYT)





