Holandezët po votojnë sot në një garë tejet të ngushtë ku Geert Wilders dhe Partia për Liri (PVV) kryesojnë, por avantazhi i tyre është pakёsuar dhe shumica e partive të mëdha ende përjashtojnë hyrjen në koalicion me të. Kjo e bën rezultatin politik të mbrëmjes shumë më të paqartë se thjesht “kush del i pari”.
Qendrat e votimit mbyllen në orën 21:00, kur del edhe exit poll-i i parë – i cili zakonisht është mjaft i saktë – por rruga e Wildersit drejt qeverisjes ngelet me pengesë: VVD, CDA dhe D66 kanë thënë hapur se nuk hyjnë në koalicion me PVV.
Gara është bërë edhe më e paparashikueshme nga luhatja e sondazheve dhe numri i madh i votuesve ende të pavendosur. Sipas “Peilingwijzer” dhe përditësimeve të fundit, PVV pritet të dalë e para me një grup relativisht të fortë mandatesh, por më e vogël se vala e vitit 2023; në sfond, CDA e Henri Bontenbalit, D66 e Rob Jettenit dhe blloqe të tjera po afrohen.
Deri në orën 10:30, pjesëmarrja arriti rreth 12% (pak më poshtë se e njëjta orë në zgjedhjet e mёparshme), një tregues se vota e pasdites mund të jetë vendimtare për balancat e sotme.
Në qendër të debatit mbeten strehimi dhe migracioni. Wilders ka shtyrë fushatën me propozime të ashpra anti-azil, të cilat do të binin ndesh me traktatet e BE-së, dhe pikërisht refuzimi i partnerëve për të miratuar linjën e tij të fortë e rrëzoi koalicionin e së djathtës në qershor. Kjo zgjedhje shihet gjerësisht si test për valën e djathtë në Evropë, teksa partitë nacionaliste po rriten edhe në vende të tjera.
Terreni politik është i tensionuar prej javësh: protesta kundër qendrave të azilkërkuesve, episode dhune në Hagё muajin e kaluar dhe një klimë e polarizuar që e shton rrezikun e kalkulimeve taktike në minutat e fundit.
Me sistem proporcional dhe parlament me 150 vende, e vetmja gjë e sigurt sonte është se, edhe nëse PVV del e para, negociatat për shumicë do të jenë të vështira – dhe mund të zgjasin.






