Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar armëpushimin dyjavor mes SHBA-ve dhe Iranit si një “fitore të plotë”, por në realitet, kushtet e kësaj marrëveshjeje tregojnë diçka shumë më të thellë: fuqinë e vёrtetё që Iran ka fituar mbi ekonominë botërore përmes kontrollit të Ngushticёs sё Hormuzit.
Vetë fakti që armëpushimi lidhet drejtpërdrejt me rihapjen e kësaj rruge jetike detare është një pranim i heshtur se Teherani ka në dorë një nga nyjet më kritike të furnizimit global me naftë – dhe për rrjedhojë, një ndikim të drejtpërdrejtë mbi ekonominë botërore. Siç shprehet ekspertja e energjisë në Brookings Institution, Samantha Gross, Irani nuk ka nevojë për fuqi të madhe ushtarake për të shkaktuar tronditje të mëdha globale – mjafton kontrolli mbi këtë korridor.
Reagimi i tregjeve ishte i menjëhershëm. Pas lajmit për armëpushimin, çmimet e naftës ranë me 15-20%, ndërsa gazi natyror në Evropë pësoi rënie të ngjashme. Megjithatë, pas kësaj uljeje fshihet një pasiguri e madhe. Analistët paralajmërojnë se problemi nuk është zgjidhur dhe gjithçka varet nga statusi i Hormuzit. Edhe pse në fillim u panë lëvizje të ҫisternave, trafiku u ndërpre sërish pas sulmeve izraelite në Liban, duke treguar se Irani vazhdon të mbajë kontrollin mbi qarkullimin.
Ndërkohë, kriza po përhapet në gjithë botën. Në Azi, mungesat e karburantit kanë shtyrë qeveri si ajo e Filipineve të shpallin emergjencë energjetike. Në Evropë, çmimet e energjisë po rriten sërish në një moment delikat pas krizës Rusi-Ukrainë. Edhe në SHBA, një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës, qytetarët po përballen me rritje të çmimeve të benzinës.
Në këtë sfond, Irani jo vetëm që ka krijuar presion mbi tregjet, por ka përfituar drejtpërdrejt financiarisht. Eksportet e tij kanë arritur rreth 1.85 milionë fuçi në ditë deri në mars, ndërsa çmimet e shitjes janë rritur ndjeshëm. Në vend që të shitet më lirë se nafta Brent, si zakonisht, nafta iraniane në disa raste është shitur më shtrenjtë – deri në 3 dollarë mbi Brent në Kinë dhe deri në 7 dollarë më shumë në Indi.
Kjo situatë i ka dhënë Teheranit dy avantazhe të mëdha: ndikim të drejtpërdrejtë mbi ekonominë globale dhe të ardhura të shtuara për të përballuar kostot e luftës. Madje, SHBA-të u detyruan të lehtësojnë përkohësisht sanksionet për një sasi të konsiderueshme nafte iraniane, për të shmangur një krizë më të thellë globale.
Në thelb, Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një armë ekonomike. Sipas analistëve, Irani jo vetëm që ka përdorur këtë pikë strategjike për të ushtruar presion, por synon ta formalizojë këtë rol edhe pas përfundimit të luftës. Propozimet përfshijnë madje tarifa tranziti për anijet, ku disa kompani kanë paguar deri në 2 milionë dollarë për kalim.
Ideja që vende si Oman do të shërbejnë si ndërmjetës për pagesat tregon se kjo mund të kthehet në një sistem të qëndrueshëm ndikimi ekonomik. Për kompanitë dhe tregjet, ky është një realitet që pranohet më shpejt sesa për politikën: nuk ka rrugë alternative tjetёr për pjesën më të madhe të eksporteve të Gjirit.
Me sa duket, armëpushimi nuk është thjesht një ndalesë e përkohshme e luftës. Ai ka konfirmuar se Hormuzi është kthyer në levën kryesore të presionit global – dhe se Irani, edhe i dobësuar, ka arritur të vendosë rregullat e lojës në një nga nyjet më të rëndësishme të ekonomisë botërore.
(Burimi: CNN)






