Një studim i ri tregon se ilaçet e avancuara për humbje peshe eliminojnë aktivitetin neuronal në një rajon të trurit të lidhur me shpërblimin dhe varësinë. Dëshirat dhe të ngrënit me tepri burojnë në tru dhe aty hyn në lojë gjenerata e re e ilaçeve për humbje peshe. Rezultatet e kërkimit, të publikuara të hënën në revistën shkencore Nature Medicine, sugjerojnë se ilaçet kundër obezitetit mund të ndryshojë mënyrën se si truri e percepton ushqimin, duke e bërë më pak të dëshirueshëm dhe duke reduktuar impulsin për të ngrënë me tepri.
Neurologët në Universitetin e Pensilvanisë studiuan trurin e katër individëve obezë të prekur nga çrregullimi i të ngrënit me tepri, një mundësi shumë e rrallë, pasi kërkimi përfshiu analiza të aktivitetit neuronal të regjistruar direkt me elektroda të implantura në tru. Njëri prej pjesëmarrësve, një grua 60-vjeçare e identifikuar si “pacientja tre”, ishte duke marrë trajtim me tirzepatide. Ky ilaç tregoi se shtyp aktivitetin neuronal në bërthamën accumbens, zonë e trurit që lidhet me kënaqësinë, motivimin dhe shpërblimin. Efekti ishte afatshkurtër ose i paplotë, duke kërkuar studime të mëtejshme, por konsiderohet një hap i rëndësishëm shkencor.
“Tani mund të fillojmë të kuptojmë se çfarë po bëjnë ilaçet në këtë rajon të trurit,” shpjegon Casey Halpern, neurolog në Universitetin e Pensilvanisë dhe autori kryesor i studimit. Ai thekson se dëshirat për të ngrënë, qoftë për kënaqësi apo energji, përfshijnë një ndërveprim kompleks midis zonave të shumta të trurit, dhe kuptimi i mënyrës se si këto ilaçe modifikojnë aktivitetin neuronal mund të çojë drejt trajtimeve të reja për çrregullimet e të ngrënit.
Ilaçet për humbje peshe, si tirzepatide, nxisin humbjen e peshës në një mënyrë të habitshme që nuk është kuptuar plotësisht deri tani. Mekanizmi bazohet në hormonët e zorrëve të quajtur inkretina, të cilët sekretohen natyrshëm kur ushqimi arrin në sistemin tretës dhe sinjalizojnë trurin për ngopje. Dy inkretinat më të rëndësishme janë GLP-1 dhe GIP. Tek njerëzit me diabet të tipit 2 dhe obezitet, këto hormone nuk funksionojnë siç duhet, duke bërë që individët të vazhdojnë të hanë edhe pas ngopjes fizike. “Analogët e inkretinave imitojnë efektet e këtyre molekulave,” shpjegon endokrinologia Andreea Ciudin nga Spitali Universitar Vall d’Hebron. Ato mashtrojnë pankreasin dhe trurin, duke krijuar një ndjenjë të vazhdueshme ngopjeje. Gjenerata e parë e barnave, si semaglutidi (i shitur si Ozempic dhe Wegovy), imiton vetëm GLP-1, ndërsa formulimet më të reja shtojnë efektin e GIP, duke krijuar një kombinim shumë më të fuqishëm. Tirzepatide, që gjendet në treg me emrin Mounjaro, konsiderohet ilaçi më efektiv deri tani, duke rritur humbjen mesatare të peshës nga 15% (semaglutidi) në 22%.
Deri më tani ishte spekuluar se këto molekula mund të ndërhynin në mekanizmat nervorë të kënaqësisë dhe varësisë. Kjo ishte vërtetuar te minjtë dhe ishte vërejtur në studime vëzhguese, si ai i publikuar vitin e kaluar në Nature, i cili tregoi një rrezik 50% më të ulët të zhvillimit ose përsëritjes së çrregullimit të përdorimit të alkoolit tek përdoruesit e semaglutidit. Megjithatë këto studime nuk provonin shkakësi të drejtpërdrejtë. Studimi i ri arriti pikërisht këtë, duke analizuar në kohë reale aktivitetin e trurit të njerëzve me elektroda të implantura.
Gjatë analizës, studiuesit zbuluan se episodet e dëshirave të forta për ushqim ishin të lidhura me sinjale më intensive të trurit me frekuencë të ulët (të quajtura aktivitet delta-theta) në bërthamën accumbens. Marrja e tirzepatide shtypi këtë aktivitet, duke çuar në ulje të dëshirave për të ngrënë dhe humbje peshe. “Ky zbulim mund të jetë i dobishëm për trajtimin e një game të gjerë gjendjesh që lidhen me kontrollin e impulseve, si çrregullimi i të ngrënit me tepri,” vëren autori.
Çrregullimi i të ngrënit me tepri u njoh zyrtarisht si sëmundje mendore në vitin 2013 dhe vlerësohet se prek 3% të popullsisë, duke e bërë çrregullimin më të zakonshëm të të ngrënit tek të rriturit. Të kuptuarit e mekanizmave të trurit që e shkaktojnë atë mund të ndryshojë mënyrën e trajtimit. “Kjo gjithashtu mund të përfaqësojë një revolucion në fushën e shëndetit mendor, çrregullimeve të të ngrënit dhe varësive,” thotë Ciudin. “Ndoshta shumë nga këto diagnoza bazohen në një ndryshim biologjik, dhe nëse i jepni pacientit terapinë zëvendësuese, patologjia zhduket.”
(Burimi: El País)






