Autoritetet iraniane kanë arrestuar të premten laureaten e Çmimit Nobel për Paqen, aktivisten e të drejtave të njeriut Narges Mohammadi, bëri të ditur fondacioni i saj, duke cituar vëllain e aktivistes.
Fondacioni, me seli në Paris, njoftoi se Mohammadi u “ndalua me dhunë” nga forcat e sigurisë dhe policia gjatë një ceremonie përkujtimore për Khosrow Alikordi, një avokat i cili u gjet së fundmi i vdekur në zyrën e tij. Arrestimi ndodhi në Mashhad, qytetin e dytë më të madh të Iranit.
Në një deklaratë të publikuar të premten, Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel dënoi ashpër atë që e cilësoi si një “arrestim brutal” të Mohammadit dhe aktivistëve të tjerë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të saj.
“Komiteti Norvegjez i Nobelit u bën thirrje autoriteteve iraniane që të sqarojnë menjëherë vendndodhjen e Narges Mohammadit, të garantojnë sigurinë dhe integritetin e saj dhe ta lirojnë pa kushte”, thuhet në deklaratën e kryetarit të organit pesëanëtarësh. “Komiteti shpreh solidaritet me Narges Mohammadin dhe me të gjithë ata në Iran që punojnë në mënyrë paqësore për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes.”
Mohammadi ka kaluar pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit në burgun Evin të Teheranit. Në dhjetor 2024, autoritetet iraniane pezulluan dënimin e saj me burg për tre javë, për t’i lejuar asaj të rikuperohej pas një operacioni të kryer në nëntor, gjatë të cilit iu hoq një pjesë e kockës në pjesën e poshtme të këmbës së djathtë, ku mjekët kishin konstatuar një lezion të dyshuar si kanceroz.
Megjithëse pritej të kthehej menjëherë në burg pas përfundimit të lejes mjekësore, Mohammadi kishte mbetur e lirë deri në arrestimin e së premtes. Ajo është dënuar disa herë me burg, me një total prej 36 vitesh, për akuza që përfshijnë veprime kundër sigurisë kombëtare dhe përhapje propagande, sipas Fondacionit Narges.
Gjatë vitit të fundit, Mohammadi ka vijuar aktivizmin e saj dhe është bërë gjithnjë e më e zëshme për situatën e të drejtave të njeriut në Iran, duke folur në ngjarje të ndryshme ndërkombëtare. Javën e kaluar, ajo publikoi një artikull në revistën Time, ku shkruante se populli iranian nuk mund të përjetojë paqe të vërtetë, për aq kohë sa shteti kontrollon çdo aspekt të jetës personale dhe private.
“Paqja shkatërrohet nga mbikëqyrja, censura, arrestimet arbitrare, torturat dhe kërcënimi i vazhdueshëm i dhunës”, shkruante ajo, duke bërë thirrje për mbështetje ndaj shoqërisë civile iraniane, medias së pavarur dhe mbrojtësve të të drejtave të grave.
Në një intervistë për CNN me gazetaren Christiane Amanpour, në dhjetor 2024, gjatë lirimit të saj të përkohshëm, Mohammadi u shpreh e vendosur. “Pavarësisht nëse jam brenda Evin apo jashtë tij, qëllimi im është i qartë dhe derisa të arrijmë demokracinë, nuk do të ndalemi,” tha ajo. “Ne duam liri dhe barazi. Cilado qoftë ana e murit ku ndodhem, do të vazhdoj luftën time.”
Fondacioni Narges njoftoi gjithashtu se disa aktivistë të tjerë u arrestuan gjatë ceremonisë përkujtimore, ndërsa informacionet mbi situatën mbeten të kufizuara. Fondacioni kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë personave të ndaluar, të cilët, sipas tij, po merrnin pjesë në ceremoni për të shprehur respekt dhe solidaritet.
Abuzime dhe dhunë seksuale në burg
Gjatë kohës së saj në paraburgim, Mohammadi ka raportuar në mënyrë të detajuar për abuzimin dhe izolimin e grave të ndaluara. Në letra dhe përgjigje për CNN, ajo ka përshkruar raste dhune seksuale ndaj saj dhe të burgosurave të tjera në institucione të ndryshme, që nga viti 1999.
Sipas saj, të burgosurit politikë dhe gratë e mbajtura me akuza penale janë sulmuar nga forcat e sigurisë, autoritetet e burgut dhe personeli mjekësor. Qeveria iraniane i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, përfshirë edhe gjetjet e një hetimi të thelluar të CNN në nëntor 2022, duke i cilësuar ato si “të rreme” dhe “të pabaza”.
Narges Mohammadi është nënë e dy fëmijëve binjakë adoleshentë, Kiana dhe Ali Rahmani, nga martesa me bashkëshortin e saj, Taghi Rahmani. Fëmijët e saj morën Çmimin Nobel për Paqen në Oslo, në emër të saj.
(Burimi: CNN)






