Përplasja mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme, teksa Garda Revolucionare iraniane ka shpallur të mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe ka paralajmëruar se do të “djegë çdo anije” që përpiqet të kalojë përmes saj. Lajmi është raportuar nga mediat shtetërore iraniane, ndërsa Komanda Qendrore e SHBA-ve e ka mohuar kategorikisht, duke deklaruar se ngushtica mbetet e hapur për lundrim.
Gjenerali i Gardës Revolucionare, Ebrahim Jabari, në një intervistë për televizionin shtetëror iranian, tha se nuk do të lejohet “asnjë pikë nafte” të kalojë përmes kësaj rruge ujore strategjike, përmes së cilës transportohet rreth 20% e naftës botërore. Kërcënimi për djegien e anijeve rrit ndjeshëm tensionin global, pasi çdo ndërprerje reale e trafikut në Hormuz do të kishte pasoja të menjëhershme për tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Nga ana tjetër, Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se operacioni ushtarak kundër Iranit është ende në fazat e para dhe se “vala e madhe” e sulmeve nuk ka ardhur ende. Ai ka theksuar se SHBA-të kanë “aftësinë për të shkuar shumë më tej” përtej ofensivës fillestare, e cila parashikohet të zgjasë rreth katër javë.
Konflikti është zgjeruar në disa fronte. Izraeli ka bombarduar objektiva të Hezbollahut në Liban, duke sinjalizuar përshkallëzim të mëtejshëm në kufirin verior. Sipas të dhënave të Gjysmëhënës së Kuqe, numri i viktimave ka arritur në rreth 600, prej të cilëve 555 në Iran që nga e shtuna.
Ndërkohë, Teherani ka ndërmarrë një hap të ri duke sulmuar me dronë bazën ushtarake britanike të Akrotirit në Qipro, pas vendimit të kryeministrit britanik Keir Starmer për të lejuar përdorimin e bazave të Mbretërisë së Bashkuar nga SHBA-të. Lëvizja britanike ka nxitur reagime politike në Evropë, sidomos në Spanjë, ku qeveria e Pedro Sánchez ka refuzuar të lejojë përdorimin e bazave ajrore Morón dhe Rota për operacione kundër Iranit.
Ky qëndrim është përshëndetur nga Irani dhe është kritikuar ashpër nga Izraeli. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, reagoi publikisht duke ironizuar: “Së pari Hamasi falënderon Sanchezin. Pastaj Huthitët. Tani Irani. A është kjo të qenit në anën e duhur të historisë?”
Ndërsa retorika përshkallëzohet dhe kërcënimet për mbylljen e Hormuzit shtojnë pasigurinë globale, situata në Lindjen e Mesme mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, me rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal që po rritet nga ora në orë.
(Burimi: BBC/Reuters)






