Irani ka nisur vendosjen e minave detare në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë për transportin e naftës, sipas dy burimeve të njohura me raportimet e inteligjencës amerikane.
Sipas burimeve, deri tani janë vendosur disa dhjetëra mina, por operacioni nuk është ende i gjerë. Megjithatë, forcat iraniane kanë ende në dispozicion 80% deri në 90% të mjeteve të tyre të vogla detare dhe anijeve minavënëse, çka do të thotë se mund të vendosin qindra mina të tjera në ujërat e kësaj rruge strategjike.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një pikë kyçe për furnizimin global me energji, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e gjithë naftës së transportuar në botë.
Forcat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, që kontrollojnë në praktikë ngushticën së bashku me marinën iraniane, kanë kapacitet të vendosin një rrjet të gjerë kërcënimesh detare, duke përfshirë mina, anije të vogla me eksploziv dhe raketa bregdetare.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi përmes një postimi në rrjetin Truth Social duke paralajmëruar se nëse Irani ka vendosur mina në Hormuz, ato duhet të hiqen menjëherë.
“Nëse Irani ka vendosur mina në Ngushticën e Hormuzit dhe nuk i heq menjëherë, do të përballet me pasoja në një nivel që nuk është parë kurrë më parë,” tha Trump.
Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth njoftoi se me urdhër të presidentit, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka nisur operacione për të neutralizuar mjetet iraniane të vendosjes së minave në zonë.
Sipas një deklarate të CENTCOM, forcat amerikane kanë shkatërruar disa anije të marinës iraniane, përfshirë 16 mjete minavënëse, pranë Ngushticës së Hormuzit.
Më herët, Garda Revolucionare kishte paralajmëruar se çdo anije që kalon në këtë zonë mund të bëhet objekt sulmi, ndërsa qarkullimi detar në ngushticë është reduktuar ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit.
(Burimi: CNN)






