Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu dyshohet se mund të ketë lidhje me historitë kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, kur me cilësinë e gjyqtares në Gjykatën e Elbasanit u jepte vëllezërve informacione sekrete dhe ndikonte në proceset gjyqësore ku ata ishin të përfshirë. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 33 persona, mes tyre edhe ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu, e njohur në rrethet kriminale me nofkën “Komshia”.
Sipas dosjes hetimore, grupi kriminal i drejtuar nga vëllezërit Çopja dhe Talo Çela akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë trafikim të lëndëve narkotike, vrasje me pagesë, pastrim parash dhe korrupsion aktiv e pasiv të zyrtarëve publikë, përfshirё gjyqtarë e oficerë policie.
Hetimet e SPAK zbuluan se Fetahu, përmes kontakteve të saj në sistemin e drejtësisë, ka ndihmuar në favorizimin e disa çështjeve gjyqësore ku ishin të përfshirë anëtarë të grupit “Çopja”. Në disa raste, ajo dyshohet se ka marrë shuma të konsiderueshme parash dhe dhurata me vlerë, përfshirë edhe një monedhë floriri, në këmbim të ndërhyrjeve në vendimmarrje.
Nga përgjimet e zhvilluara gjatë hetimit rezulton se ish-gjyqtarja komunikonte rregullisht me përfaqësues të grupit përmes Arzen Mamës, duke u takuar në banesën e saj dhe duke shkëmbyer informacione mbi hetime apo vendime gjyqësore. SPAK ka evidentuar gjithashtu disa biseda që sugjerojnë se Fetahu kishte shfaqur urdhër apo dëshirë për eliminimin e gazetarit Saimir Kodra, moderator i emisionit investigativ “Stop”, i cili kishte publikuar raste dhe denoncime që ekspozonin veprimtarinë e saj dhe lidhjet e mundshme me botën e krimit.
Sipas dosjes, Fetahu e ka konsideruar Kodrën si person që “i kishte dëmtuar imazhin dhe interesat”, ndaj kishte kërkuar hakmarrje përmes kontakteve në rrjetin kriminal. Kjo ka bërë që SPAK të përfshijë edhe këtë element në listën e provave që rëndojnë pozitën e saj.
Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu u arrestua në korrik të vitit 2024 gjatë një operacioni të gjerë të SPAK-ut në disa qytete të vendit. Ajo i ka mohuar të gjitha akuzat, duke pretenduar se nuk ka pasur asnjë lidhje me grupin kriminal dhe se është viktimë e një keqinterpretimi hetimor.
Tashmë çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku do të vendoset mbi fatin e 33 të pandehurve, përfshirë dhe ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu.






