Gjykata e Kasacionit në Itali ka lënë në fuqi dënimin me 13 vite burg për Michele Barone, ish-prift i Tempullit Casapesenna, i shpallur fajtor për keqtrajtimin e një vajze 13-vjeçare gjatë ritualeve të paligjshme të ekzorcizmit.
Çështja daton në vitin 2018, kur Barone u arrestua pasi ishte kthyer nga një pelegrinazh në Krakovë. Hetimi nisi pas një denoncimi të bërë në programin televiziv “Le Iene”, të raportuar nga motra e vajzës. Së bashku me priftin, u hetuan edhe prindërit e të miturës, të cilët besonin se vajza ishte “e pushtuar” dhe lejuan që ajo t’i nënshtrohej ritualeve të dhunshme brenda institucionit fetar. Gjatë riteve, sipas gjykatës, vajza është rrahur, i është ushtruar presion i fortë psikologjik dhe madje është detyruar të mbajë një dietë absurde vetëm me qumësht dhe biskota — gjithçka me dijeninë dhe praninë e prindërve.
Barone pati edhe pasoja të rënda kishtare: fillimisht u pezullua nga dioqeza e Aversës dhe më pas u përjashtua përfundimisht nga Papa Françesku. Pas arrestimit, ai qëndroi në burg deri në mars 2020 dhe më pas në arrest shtëpiak deri në qershor 2021.
Ish-prifti ishte hetuar edhe për dy akuza pёr dhunë seksuale, por u shpall i pafajshëm për to në shkallën e parë. Akuzat e vetme të konfirmuara përfundimisht janë ato të keqtrajtimit të vajzës 13-vjeçare.
Me vendimin e ri të Kasacionit, Michele Barone kthehet në burg për të vuajtur dënimin e plotë.
(Burimi: TGCOM)






