Ish- zёvendёspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Dick Cheney, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare, njoftoi familja e tij të martën. Cheney shërbeu si Sekretar i Mbrojtjes gjatë Luftës së Gjirit Persik nën presidencën e George H.W. Bush, përpara se të rikthehej në skenën publike si zëvendëspresident i George W. Bush dhe të bëhej një nga mbështetësit kryesorë të pushtimit të Irakut në vitin 2003.
Dick Cheney, konservatori i njohur për stilin e tij të ashpër dhe një nga zëvendëspresidentët më të fuqishëm në historinë e SHBA-së, ndërroi jetë të hënën mbrëma si pasojë e komplikimeve nga pneumonia dhe sëmundjet e zemrës e të enëve të gjakut, sipas një deklarate të zëdhënësit të familjes.
Cheney shërbeu nën dy presidentë – baba e bir – duke udhëhequr forcat e armatosura si Sekretar i Mbrojtjes gjatë Luftës së Gjirit Persik me George H.W. Bush dhe më pas si zëvendëspresident me të birin, George W. Bush.
Në thelb, Cheney ishte “drejtori ekzekutiv” i administratës Bush, me ndikim të drejtpërdrejtë – shpesh vendimtar – në zbatimin e politikave më të rëndësishme të presidentit, por edhe në nisma që i interesonin personalisht atij. Ai e mbajti këtë rol pavarësisht dekadave me probleme të zemrës qё ҫuan edhe nё një transplant zemre pas largimit nga detyra.
Cheney mbrojti në mënyrë të pandërprerë mjetet e jashtëzakonshme të survejimit, ndalimit dhe marrjes në pyetje të përdorura pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Kritik ndaj Trump-it republikan
Vite pas largimit nga funksioni, Cheney u bë shënjestër e presidentit Donald Trump, sidomos pasi vajza e tij, Liz Cheney, u shndërrua në një nga kritiket më të ashpra republikane të përpjekjeve të Trump për të qëndruar në pushtet pas humbjes në zgjedhje dhe rolit të tij në trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol.
“Në 246 vite histori të kombit tonë, nuk ka pasur ndonjë person që ka përbërë kërcënim më të madh për republikën tonë sesa Donald Trump,” deklaronte Cheney në një spot televiziv për fushatën e vajzës së tij. “Ai u përpoq të vjedhë zgjedhjet e fundit duke përdorur gënjeshtra dhe dhunë për të qëndruar në pushtet. Ai është frikacak.”
Në një kthesë të papritur për demokratët e dikurshëm, Cheney deklaroi vitin e kaluar se kishte votuar për kandidaten demokrate Kamala Harris kundër Trumpit.
Epoka e terrorizmit
Ndёrsa periudha kur mbajti funksionin e zёvendёspresidentit u përkufizua nga “epoka e terrorizmit”, Cheney zbuloi se kishte çaktivizuar funksionin pa tel të defibrilatorit të tij për shkak të frikës se terroristët mund të sulmonin zemrën e tij nga distanca.
Nën administratën Bush, posti i zëvendëspresidentit nuk ishte më ceremonial. Cheney e shndërroi atë në një rrjet kanalesh të fshehta ndikimi mbi politikat e Irakut, terrorizmit, pushtetit presidencial, energjisë dhe fusha të tjera kyçe të agjendës konservatore.
Fillimisht, Bush i kërkoi Cheney-t të drejtonte ekipin për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendëspresident, por në fund zgjodhi vetë Cheney-n. Që nё krye tё herёs, ata kishin një marrëveshje të pashkruar: Cheney do të mbështeste plotësisht agjendën e Bushit, pa ndjekur ambicie personale për presidencën.
“Vendosa që, kur firmosa me presidentin, agjenda ime do të ishte vetëm e tij – nuk do të isha si zëvendëspresidentët e tjerë që planifikonin se si do të bëheshin vetë presidentë pas tij,” u shpreh asokohe Cheney.
Por prirja e tij për fshehtësi dhe manovra prapa skene e bëri figurë të diskutueshme, duke u perceptuar nga kritikët si një “Makiavel modern” që orkestroi përgjigjen e dështuar ndaj kritikave për luftën në Irak.
Linja e ashpër ndaj Irakut
Në Uashington shpesh bëhej shaka se “numri një” i vërtetë ishte Cheney, jo Bush – një ide që u zbeh në mandatin e dytë, kur Bush mori më shumë kontroll politik.
Cheney ishte një mbështetës i vendosur i luftës në Irak, edhe kur izolimi i tij në administratë u thellua. Ai këmbënguli për lidhje mes Irakut dhe sulmeve të 11 shtatorit që më vonë rezultuan të pabazuara. Ai parashikoi se trupat amerikane do të priteshin si çlirimtarë – gjë që nuk ndodhi kurrë.
Në maj 2005, kur 1,661 ushtarë amerikanë ishin vrarë, Cheney deklaroi se “kryengritja irakiane është në ditët e fundit të saj” – megjithëse bilanci u dyfishua deri në fund të luftës.
Në mandatin e dytë të Bushit, ndikimi i tij u zvogëlua. Gjykatat rrëzuan disa nga përpjekjet e tij për zgjerimin e pushtetit presidencial dhe për trajtime të ashpra ndaj të dyshuarve për terrorizëm. Po ashtu, qëndrimet e tij luftarake ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut nuk u përqafuan plotësisht nga Bush.
Një goditje tjetër për imazhin e tij erdhi në vitin 2006, kur gjatë një gjuetie aksidentalisht qëlloi mikun e tij Harry Whittington. Cheney e quajti atë “një nga ditët më të këqija të jetës”. Whittington u shërua dhe e fali shpejt, por ngjarja u bë objekt talljesh publike për muaj të tërë. Whittington ndërroi jetë në vitin 2023.
Një veteran i Uashingtonit
Politika e tërhoqi për herë të parë Dick Cheney-n drejt Uashingtonit në vitin 1968, kur ai ishte praktikant në Kongres. Ai u bë i mbrojturi dhe nxënësi politik i përfaqësuesit republikan Donald Rumsfeld nga Illinois, duke shërbyer nën drejtimin e tij në dy agjenci federale dhe më pas në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së Gerald Ford, përpara se të ngrihej në detyrë si shef i stafit të presidentit — posti që e mbajti në moshën 34-vjeçare, duke u bërë personi më i ri në histori që e kishte ushtruar atë funksion.
Cheney mbajti postin për 14 muaj, më pas u rikthye në qytetin e tij të lindjes, Casper të Wyomingut, dhe kandidoi për vendin e vetëm që shteti kishte në Dhomën e Përfaqësuesve.
Gjatë fushatës së tij të parë për Kongres, Cheney pësoi një atak të lehtë në zemër – çka e shtyu të bënte shaka se po krijonte një grup të quajtur “Kardiakët për Cheney”. Megjithatë, ai arriti një fitore bindëse dhe më pas u rizgjodh edhe pesë herë të tjera radhazi.
Në vitin 1989, Cheney u emërua sekretar i mbrojtjes nën presidencën e parë të George H.W. Bush dhe drejtoi Pentagonin gjatë Luftës së Gjirit Persik (1990–1991), e cila çliroi Kuvajtin nga pushtimi irakian. Ndërmjet dy administratave të Bushëve, Cheney ishte drejtues i kompanisë Halliburton Corp. me seli në Dallas, një nga firmat më të mëdha inxhinierike dhe ndërtimore në industrinë e naftës.
Dick Cheney lindi në Lincoln, Nebraska, bir i një punonjësi të vjetër të Departamentit të Bujqësisë. Si nxënës i shkëlqyer dhe bashkëkapiten i ekipit të futbollit në Casper, ai fitoi bursë të plotë për në Yale, por u largua pas një viti për shkak të rezultateve të dobëta.
Më vonë u kthye në Wyoming, u regjistrua në Universitetin e Wyoming dhe rinisi lidhjen me të dashurën e tij të shkollës së mesme, Lynne Anne Vincent, me të cilën u martua në vitin 1964. Pas vdekjes së tij, ai la pas bashkëshorten, si dhe dy vajzat, Liz dhe Mary.
(Burimi: FRANCE 24 me agjencinë Associated Press)






