Italia ka bërë një hap historik në luftën kundër dhunës ndaj grave. Parlamenti italian miratoi të martën ligjin që fut në Kodin Penal veprën penale të vrasjes së grave dhe e dënon atë me burgim të përjetshëm, duke e njohur zyrtarisht si një kategori të veçantë krimi. Votimi, që përkoi simbolikisht me Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, u mbështet si nga shumica e qendrës së djathtë, ashtu dhe nga opozita e qendrës së majtë, duke kaluar me 237 vota pro në Dhomën e Ulët të parlamentit.
Ligji, i mbështetur nga qeveria konservatore e kryeministres Giorgia Meloni, ka ardhur si përgjigje ndaj një vale tragjedish të fundit dhe ndaj shtimit të rasteve të dhunës kundër grave në vend. Ai përfshin masa të forta ligjore kundër krimeve me bazë gjinore, përfshirë përndjekjen dhe pornografinë hakmarrëse, dy fenomene që janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Ngjarje të rënda si vrasja e Giulia Cecchettin në vitin 2023, e cila tronditi opinionin publik dhe nxiti protesta kombëtare, u bënë katalizator për debat të gjerë mbi rrënjët kulturore të dhunës në një shoqëri ende të ngarkuar me tradita patriarkale.
“Ne kemi dyfishuar fondet për qendrat kundër dhunës, kemi promovuar një linjë telefonike emergjente dhe kemi zbatuar aktivitete inovative edukative dhe ndërgjegjësuese,” deklaroi Meloni, duke theksuar se qeveria synon politika afatgjata për mbrojtjen e grave. “Këto janë hapa konkretë përpara, por nuk do të ndalemi këtu. Duhet të vazhdojmë të bëjmë shumë më tepër, çdo ditë.”
Edhe pse opozita e qendrës së majtë votoi pro ligjit, ajo kritikoi qasjen e qeverisë duke e konsideruar të pamjaftueshme dhe të fokusuar vetëm në aspektin penal. Sipas tyre, rrënjët e dhunës ndaj grave lidhen ngushtë me pabarazinë ekonomike, kulturore dhe arsimore, që kërkojnë ndërhyrje të thella sociale dhe edukative.
Sipas të dhënave të Istat, 106 gra u vranë në vitin 2024 në Itali dhe 62 prej tyre u vranë nga partnerë ose ish-partnerë, duke e bërë problemin alarmant dhe të përhapur në të gjithë vendin. Debati publik ka rikthyer vëmendjen te edukimi në shkolla si mënyra më efektive për të parandaluar dhunën me bazë gjinore. Ndërkohë, një projektligj i propozuar nga qeveria parashikon ndalimin e edukimit seksual dhe emocional në shkolla fillore dhe kërkon pëlqimin e detyrueshëm të prindërve për mësimet përkatëse në shkollat e mesme—një masë që ka ndezur polemika të forta.
Koalicioni qeverisës e ka mbrojtur këtë qasje si mbrojtje të fëmijëve nga, siç e quajti, “aktivizmi ideologjik”, ndërsa partitë progresiste e cilësuan projektligjin “mesjetar”. Kryetarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, u shpreh: “Italia është një nga vetëm shtatë vendet në Evropë ku edukimi mbi seksin dhe marrëdhëniet nuk është ende i detyrueshëm në shkolla. Represioni nuk mjafton pa parandalimin, i cili mund të fillojë vetëm në shkolla.”
Diskutimi për mënyrën më të mirë për të luftuar dhunën me bazë gjinore mbetet i ndezur në Itali, ndërsa ligji i ri shihet si një pikë kthese e rëndësishme në përpjekjen për të mbrojtur jetët e grave në një realitet ku statistikat flasin vetë.
(Pёrshtatur nga CNN)






