Izraeli ka kërkuar falje pas incidentit në jug të Libanit, ku trupat paqeruajtëse të UNIFIL-it (United Nations Interim Force in Lebanon) u vunë në shënjestër të zjarrit nga një tank izraelit. Ushtria izraelite (IDF) deklaroi se të shtënat ishin rezultat i një “gabimi identifikimi” të shkaktuar nga “kushtet e këqija të motit” dhe pamja e kufizuar.
Sipas UNIFIL-it, të shtënat ranë vetëm disa metra larg patrullës paqeruajtëse, e cila u detyrua të tërhiqej për siguri. Forca e OKB-së e cilësoi incidentin si “shkelje serioze” të rezolutës së Këshillit të Sigurimit Nr. 1701, që rregullon aktivitetin ushtarak në zonën kufitare midis Izraelit dhe Libanit.
Ngjarja vjen në një moment kur tensionet në rajon po rriten sërish, pavarësisht armëpushimit të brishtë në Lindjen e Mesme. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka riafirmuar kundërshtimin e tij kategorik ndaj krijimit të një shteti palestinez në perëndim të lumit Jordan, duke theksuar se “zona do të çmilitarizohet dhe Hamasi do të çarmatoset”.
Në të njëjtën kohë, situata humanitare në Rripin e Gazës është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të shirave të rrëmbyeshëm, që kanë përmbytur çadrat e mijëra të zhvendosurve. OKB ka paralajmëruar se shumë familje po përballen me rrezik të shtuar për shëndetin për shkak të mungesës së strehimit dhe kushteve të pafavorshme atmosferike.






