Parlamenti izraelit ka miratuar në parim një projektligj që do të mundësojё vendosjen e dënimit me vdekje për raste të cilësuara si “akte terroriste”. Projektligji, i propozuar nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir – një figurë e njohur e krahut të djathtë ekstrem – mori 39 vota pro dhe 16 kundër në Knesset, parlamentin izraelit me 120 anëtarë.
Sipas përmbajtjes së draftit, dënimi me vdekje do të zbatohet ndaj personave që vrasin izraelitë për motive “raciste” apo “në përpjekje për të dëmtuar Shtetin e Izraelit dhe për të penguar ekzistencën e popullit hebre në tokën e tij”.
Kritikët e ligjit paralajmërojnë se miratimi i tij do të çojë në një zbatim pothuajse ekskluziv ndaj palestinezëve që kryejnë sulme ndaj izraelitëve, ndërsa ekstremistët hebrenj që sulmojnë palestinezë do të mbeten të paprekur. Përpjekje të ngjashme për futjen e këtij dënimi janë bërë edhe më parë, por kanë dështuar. Ky projektligj duhet të kalojë edhe në dy votime të tjera përpara se të hyjё nё fuqi.
Në shpjegimin që shoqëronte draftin, Komiteti për Sigurinë Kombëtare tha se qëllimi i ligjit është “të godasë terrorizmin në rrënjë dhe të krijojë një mjet të fortë pengues”. Ministri Ben-Gvir e përshëndeti votimin duke thënë se partia e tij “po bën histori”.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë reaguar ashpër, duke paralajmëruar se ligji synon në mënyrë të njëanshme palestinezët dhe thellon diskriminimin e tyre sistematik. Izraeli, megjithëse e ka dënimin me vdekje të parashikuar për disa krime të veçanta, në praktikë nuk e ka zbatuar atë që prej vitit 1962, kur u ekzekutua Adolf Eichmann, një nga organizatorët e Holokaustit.
Votimi u zhvillua në një periudhë armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që synon t’i japë fund luftës në Gaza. Megjithatë, Izraeli është akuzuar për shkelje të marrëveshjes me sulme të vazhdueshme në territorin palestinez, ndërsa ushtria izraelite ka kryer sulme të shpeshta në Bregun Perëndimor.
Autoritetet palestineze e kanë dënuar ashpër këtë nismë ligjore. Një deklaratë e grupit palestinez e përshkroi atë si “fytyrën e shëmtuar fashiste të okupimit zionist” dhe si “një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”. Ministria palestineze e Punëve të Jashtme e quajti ligjin “një formë të re përshkallëzimi e ekstremizmit izraelit dhe e dhunës kundër popullit palestinez”.
Aktualisht, mbi 10 000 palestinezë – përfshirë gra dhe fëmijë – mbahen në burgjet izraelite. Organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë raste të shumta torturash, urie dhe neglizhence mjekësore, të cilat kanë shkaktuar edhe vdekje në burg.
(Burimi: Al Jazeera)






