Kur njerëzit e kanë të vështirë të krijojnë miq të rinj, shpesh ia vënë fajin vetes – ndihen të sikletshëm, të papërshtatshëm, sikur diçka nuk shkon me ta. Si sociologe që studion mënyrën se si lidhen njerëzit, Janice McCabe shkruan për The New York Times se ka intervistuar mbi 150 persona për miqësinë. Një grua i tregoi një histori tipike: pas përfundimit të studimeve u zhvendos në një qytet të ri dhe përpiqej të niste biseda në kafene, në punë apo në yoga, por asgjë nuk vazhdonte më tej. Ndërtimi i marrëdhënieve të reja i dukej i pamundur. “Unë nuk jam e zonja për këtë,” mendoi ajo.
Megjithatë, ajo – si shumica prej nesh – mund të kujtonte periudha të jetës kur krijimi i miqve ishte shumë më i lehtë. Gjatë dy dekadave kërkimi mbi miqësinë, Janice McCabe shprehet se ka vënë re që aftësia jonë për të bërë miq nuk zhduket apo shfaqet rastësisht. Ajo varet, në masë të madhe, nga ajo që e quan “tregu i miqësisë” ku ndodhemi.
Në një treg miqësie të fortë, shumica e njerëzve në një ambient të caktuar janë të hapur për të krijuar lidhje të reja. Mendoni për nxënësit që kalojnë nga shkolla e mesme e ulët në gjimnaz, apo studentët e vitit të parë në universitet. Aty, lidhjet e reja lindin natyrshëm.
Por pjesën më të madhe të jetës e kalojmë në tregje më të dobëta miqësie, ku njerëzit janë të gatshëm të bisedojnë, por jo të lidhen. Një prind shkon në një mbledhje prindërish dhe, edhe pse të tjerët janë korrektë e miqësorë, mbajnë distancë. Ose dikush zhvendoset në një qytet të ri për punë dhe, edhe pse takon njerëz, askush nuk i përgjigjet realisht përpjekjeve për lidhje më të thella. Edhe kur përpiqesh me qëllim, miqësitë nuk krijohen nëse “tregu” është mbyllur: të tjerët tashmë kanë rrethe të konsoliduara shoqërore.
Në moshën e rritur, tregjet e hapura të miqësisë bëhen më të rralla. Por ekziston një çelës për t’i gjetur ato: ndryshimi i identitetit personal. Ne e përkufizojmë veten përmes marrëdhënieve tona. Miqësitë na ndihmojnë të ndërtojmë kush jemi dhe kush po bëhemi.
Prandaj, çelësi nuk është thjesht të regjistrohesh në një aktivitet apo klub për të njohur njerëz. Çelësi është të bashkohesh me diçka që lidhet me një identitet të ri ose me një aspekt të vetes që dëshiron ta zhvillosh. Gratë shtatzëna, për shembull, kërkojnë miqësi në kurse përgatitore për lindjen – jo vetëm për të gjetur persona që i kuptojnë, por edhe për të përforcuar identitetin e ri si nëna.
Momentet e rëndësishme të jetës e bëjnë më të lehtë gjetjen e tregjeve të miqësisë, por ato ekzistojnë për çdo lloj identiteti, të madh apo të vogël. Një grua u bashkua me një klub kafeje, në momentin kur filloi ta shihte veten si njohëse të kafesë. Një tjetër gjeti miq në një klub krenarie LGBTQ+; edhe pse kishte vite që ishte deklaruar lesbike, ndiente se ky identitet po bëhej më i rëndësishëm për të.
Miqtë që lidhen me identitete në zhvillim nxjerrin në pah anë të reja të vetes. Një e intervistuar tregoi se nuk ishte rritur me besim fetar, por kur nisi të eksploronte krishtërimin dhe iu bashkua një grupi studimi biblik, ndiente se ishte versioni më i gëzuar dhe pozitiv i vetes.
Të gjithë e kemi përjetuar sa shumë afrohemi me dikë kur identitetet tona ndryshojnë paralelisht. Janice tregon se kishte punuar për pesë vjet në të njëjtin zyrë me një kolege që mezi e njihte, derisa të dyja mbetën shtatzëna në të njëjtën kohë – të dyja për herë të parë, me të njëjtën datë lindjeje. Filluan shëtitjet, drekat dhe bisedat e thella mbi emocionet dhe frikërat e tyre. Ndërsa identitetet e tyre ndryshonin, ndryshonte edhe miqësia e tyre.
Edhe identitetet më pak të dëshirueshme mund të hapin tregje të reja miqësie. Disa persona tregojnë për grupe prindërish të vetëm. Duke kujtuar periudhën e vështirë pas ndarjes, anëtarët e grupit ishin jashtëzakonisht mikpritës me të rinjtë. Një grua tregoi se si miqtë e rinj e mbështetën ndërsa rriste e vetme fëmijën. Më vonë ajo u martua dhe doli nga grupi, por dy prej atyre personave mbetën miqtë e saj më të afërt për vite me radhë.
Të kuptosh “tregjet e miqësisë” nuk do të thotë se miqësitë janë transaksione. Ato nuk janë mallra dhe as të zëvendësueshme lehtë. Por ato nuk janë gjithmonë të disponueshme vetvetiu. Duhet t’i kërkojmë me vetëdije, në një jetë gjithnjë e më të zënë dhe shpesh të izoluar.
Sugjerimi i Janice për Vitin e Ri është ky: në vend që të presësh pasivisht që miqësitë të vijnë vetë, kërko tregje të reja miqësie. Edhe ata që kanë jetë shoqërore aktive përfitojnë nga marrëdhënie të reja që i riafirmojnë kush janë. Këto lidhje sjellin gëzim, plotësojnë nevojën bazë për lidhje njerëzore dhe na ndihmojnë të jetojmë më shëndetshëm e më gjatë.
Kështu që herën tjetër kur krijimi i miqve të duket i vështirë, mos e fajëso veten. Mendo për strukturën e tregut ku ndodhesh. Nëse ndjek një kurs jo vetëm për të mësuar diçka të re, por për të përmirësuar një pjesë të vetes, ka shumë gjasa të gjesh njerëzit e tu.
(Burimi: Përkthyer dhe përshtatur nga The New York Times)






