Gjeniu që deshifroi ADN-në dhe ndezi polemika që nuk u shuan kurrë
James Dewey Watson, biologu molekular amerikan që bashkë me Francis Crick dhe Maurice Wilkins zbuloi strukturën spirale të dyfishtë të ADN-së – molekulës që mban kodin e jetës – u nda nga jeta në moshën 97-vjeçare pas një sëmundjeje të shkurtër.
Lajmin e konfirmoi Laboratori Cold Spring Harbor në Long Island, institucioni ku Watson kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij dhe që e udhëhoqi për më shumë se dy dekada.
“Që në fillim doja të bëja diçka me rëndësi për jetën time,” kishte thënë Watson në një intervistë për CNN në vitin 2013. “Të kërkosh të vërtetën – kjo është trashëgimia ime. Edhe kur ajo është e ndërlikuar, gjithmonë ndihmon.”
Në vitin 1962, Watson fitoi Çmimin Nobel për Mjekësi, bashkë me Crick dhe Wilkins, për zbulimin e strukturës së ADN-së – një arritje që hapi një kapitull të ri në shkencë dhe shpjegoi se si informacioni gjenetik ruhet dhe përcillet nga një brez në tjetrin.
Në moshën 25-vjeçare, ai dhe Crick publikuan në revistën Nature artikullin që përmbysi konceptet e deriatëhershme të biologjisë. “Ishte aq e bukur, saqë gjithçka tjetër na u duk mistike,” kujtonte më vonë Watson për momentin kur arriti formulën e duhur të spirales së dyfishtë.
Kureshtja e tij për natyrën ishte e lindur. Fëmijë në Çikago, pyeste pse zogjtë migronin dhe si e dinin rrugën për t’u kthyer. Kjo etje për të kuptuar botën e çoi drejt studimeve shkencore. Në moshën 15-vjeçare fitoi bursë në Universitetin e Çikagos dhe u diplomua në zoologji.
Më vonë ndoqi doktoraturën në Universitetin e Indianas, ku interesi për zogjtë u shndërrua në pasion për gjenetikën. Në vitin 1951, u bashkua me laboratorin Cavendish në Kembrixh, ku takoi Francis Crick-un dhe Maurice Wilkins-in. Aty, me ndihmën e të dhënave me rreze X të shkencëtares britanike Rosalind Franklin – kontribut që për shumë vite mbeti në hije – lindi zbulimi që ndryshoi përgjithmonë biologjinë.
Tre vite pas marrjes së Nobelit, Watson botoi librin “Molecular Biology of the Gene”, që u bë tekst themelor për breza të tërë biologësh. “Ndoshta kam qenë më shumë shkrimtar sesa shkencëtar,” thoshte me humor ai në një intervistë më 2012.
Në vitin 1968, Watson mori drejtimin e Cold Spring Harbor Laboratory, duke e kthyer në një nga qendrat më të rëndësishme të kërkimeve në biologjinë molekulare. Më vonë, ai u bë drejtori i parë i Projektit të Gjenomit Njerëzor, që synonte të hartëzonte gjenet e njeriut.
Ishte gjithashtu personi i parë në histori që shiti medaljen e vet të Nobelit, për të mbledhur fonde për kërkime shkencore – një gjest i pazakontë për një fitues të Nobelit.Por vitet e fundit të jetës së tij u shoqëruan me polemika.
Në 2007, ai bëri komente raciste lidhur me inteligjencën e njerëzve me origjinë afrikane, duke humbur postin e kancelarit dhe disa tituj nderi. Në 2019, ai përsëriti deklarata të ngjashme, duke humbur edhe titujt e mbetur në laboratorin ku kishte punuar për më shumë se 40 vjet.
Pavarësisht kritikave që e ndoqën deri në fund, ndikimi i James Watson në shkencë është i pakundërshtueshëm. Ai ndihmoi njerëzimin të kuptonte arkitekturën e jetës, edhe pse nuk arriti kurrë të pajtohej plotësisht me botën jashtë laboratorit.
Në kujtesën e shumë studiuesve, Watson mbetet njeriu që, siç thoshte vetë, “u shty gjithë jetën nga dëshira për të gjetur të vërtetën – sado e vështirë apo e pakëndshme të ishte ajo.”






