Autoritetet japoneze kanë miratuar rikthimin në funksion të centralit bërthamor më të madh në botë, një vendim me peshë të madhe simbolike dhe strategjike, 15 vjet pas katastrofës së Fukushimës. Bëhet fjalë për centralin Kashiwazaki-Kariwa, në prefekturën Niigata, i cili kishte mbetur jashtë funksionit që prej vitit 2011.
Asambleja e prefekturës Niigata i hapi rrugën kompanisë Tokyo Electric Power Company (TEPCO) që të rifillojë punën me një nga shtatë reaktorët e centralit, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme të një pjese të banorëve lokalë. NHK, reaktori nr. 6 pritet të rikthehet në rrjet rreth datës 20 janar.
Japonia ka ndjekur një qasje tepër të kujdesshme ndaj energjisë bërthamore që nga tërmeti me magnitudë 9.0 dhe cunami shkatërrues i vitit 2011, që shkaktoi shkrirjen e reaktorëve në centralin Fukushima Daiichi Nuclear Power Plant – katastrofa më e rëndë bërthamore që nga Çernobili në vitin 1986. Pas asaj ngjarjeje, Tokio mbylli të 54 centralet bërthamore të vendit, përfshirë edhe Kashiwazaki-Kariwa, i cili ndodhet rreth 320 kilometra në veri të Tokios, në ishullin kryesor Honshu.
Që atëherë, Japonia ka rifutur gradualisht në funksion 14 nga 33 reaktorët që konsiderohen ende të përdorshëm, sipas Shoqatës Botërore të Energjisë Bërthamore. Rikthimi i Kashiwazaki-Kariwa shënon herën e parë që një central i operuar nga TEPCO rindizet pas Fukushimës, një fakt që ka shtuar skepticizmin e opinionit publik.
“Jemi të vendosur të mos lejojmë kurrë përsëritjen e një aksidenti të tillë dhe të garantojmë që banorët e Niigatës të mos përjetojnë diçka të ngjashme”, deklaroi zëdhënësi i TEPCO-s, Masakatsu Takata.
Para katastrofës së vitit 2011, energjia bërthamore siguronte rreth 30% të energjisë elektrike të Japonisë. Mbyllja e centraleve e detyroi vendin të rrisë ndjeshëm varësinë nga lëndët djegëse fosile të importuara, si qymyri dhe gazi, të cilat sot përbëjnë rreth 60–70% të prodhimit të energjisë. Vetëm vitin e kaluar, importet energjetike i kushtuan Japonisë rreth 10.7 trilionë jen (rreth 68 miliardë dollarë).
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi, e cila mori detyrën dy muaj më parë, është një mbështetëse e fortë e energjisë bërthamore dhe e sheh ringjalljen e saj si një mjet për të ulur kostot, për të luftuar inflacionin dhe për të nxitur një ekonomi të ngadalësuar. Japonia është aktualisht emetuesi i pestë më i madh i dioksidit të karbonit në botë, por ka vendosur objektivin për neutralitet klimatik deri në vitin 2050. Për këtë arsye, qeveria synon të dyfishojë peshën e energjisë bërthamore në miksin energjetik, duke e çuar në rreth 20% deri në vitin 2040.
Megjithatë, kujtesa e Fukushimës mbetet e gjallë. Një sondazh i publikuar në tetor nga prefektura Niigata tregoi se 60% e banorëve nuk besojnë se kushtet për rindizjen janë plotësuar, ndërsa gati 70% shprehen të shqetësuar për faktin që centrali do të operohet nga TEPCO. “Ne e dimë nga përvoja se çfarë rreziku përfaqëson një aksident bërthamor dhe nuk mund ta injorojmë atë”, tha për Reuters një banore që u shpërngul në Niigata pas katastrofës së Fukushimës.
Nga ana e saj, TEPCO pohon se centrali ka kaluar një sërë inspektimesh dhe përmirësimesh të thella sigurie, përfshirë mure mbrojtëse më të larta kundër cunamёve, dyer hermetike, gjeneratorë të lëvizshëm, mjete shtesë për emergjenca dhe sisteme të përmirësuara filtrimi për kontrollin e materialeve radioaktive. Në fund të tetorit, kompania deklaroi se reaktori nr. 6 ka kaluar të gjitha testet dhe është gati për rindezje.
Vendimi për rikthimin e Kashiwazaki-Kariwa shënon një kthesë të rëndësishme për Japoninë, e cila po përpiqet të balancojë nevojën për siguri, kujtimin e një tragjedie kombëtare dhe presionin për energji më të qëndrueshme në një botë gjithnjë e më të etur për energji.
(Burimi: CNN)






