Japonia ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt pavarësisë në furnizimin me metale të rralla, duke nxjerrë me sukses sedimente të pasura me minerale kritike nga një thellësi rekord prej rreth 5,600 metrash në ujërat pranë ishullit Minami Torishima, në juglindje të arkipelagut japonez.
Operacioni u realizua nga anija kërkimore Chikyu e Agjencisë Japoneze të Shkencave Detare dhe konsiderohet përpjekja e parë në botë për marrjen e mostrave në thellësi të tilla brenda zonës ekskluzive ekonomike të një vendi.
Ky zhvillim ka peshë të madhe gjeopolitike, në një kohë kur Kina kontrollon rreth 92% të rafinimit global të metaleve të rralla. Tensionet janë rritur edhe më shumë pas ndalimit të eksporteve të materialeve me përdorim të dyfishtë drejt Tokios, një vendim që erdhi pas deklaratave të kryeministres Sanae Takaichi për mbrojtjen e Tajvanit.
Rezervat e vlerësuara rreth Minami-Torishima arrijnë mbi 16 milionë ton dhe përfshijnë elementë strategjikë si disprosiumi dhe itriumi — metale thelbësore për magnetët me rezistencë të lartë që përdoren në automjetet elektrike, teknologjinë mjekësore dhe pajisjet e avancuara elektronike.
“Kjo është një arritje e rëndësishme për sigurinë ekonomike dhe zhvillimin detar,” deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Kei Sato.
Një test më i gjerë është planifikuar për shkurt 2027, me synimin për të nxjerrë deri në 350 ton sedimente në ditë. Deri në mars 2028, qeveria japoneze pritet të vendosë nëse do të kalojë në prodhim të qëndrueshëm.
Megjithatë, sfidat ekonomike mbeten të mëdha. Analistët paralajmërojnë se kostot e nxjerrjes dhe transportit nga zona kaq të largëta janë ende shumë të mёdha, ndërsa ambientalistët ngrejnë shqetësime për ndikimin e mundshëm në ekosistemet detare. Ata kërkojnë një kod global që të rregullojë aktivitetet minerare në thellësitë e oqeaneve, ndërsa gjithnjë e më shumë shtete përpiqen të shkëputen nga varësia ndaj zinxhirëve kinezë të furnizimit.
(Burimi: ANSA)






