Luhatjet e temperaturave kanë sjellë një rritje të ndjeshme të rasteve me infeksione respiratore në të gjithë vendin. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë javës së 43-të janë regjistruar mbi 12 mijë raste, duke shënuar një trend në rritje krahasuar me javën paraardhëse. Infeksionet e rrugëve të sipërme dhe të poshtme respiratore po rritet ndjeshëm, ndërsa ekspertët parashikojnë që numri i të prekurve të vijojë të shtohet javë pas jave. Deri më tani nuk janë evidentuar raste të gripit sezonal.
Edhe pse rastet me COVID-19 janë më të pakta, virusi vijon të qarkullojë në nivel të qëndrueshëm, me rreth 80 raste të konfirmuara në javë. Simptomat raportohen të jenë të lehta, si dhimbje fyti dhe kollë e lehtë, megjithatë për personat që bëjnë pjesë në grupet e riskut, virusi mbetet kërcënim, njësoj si gripi sezonal.
Ndërkohë, fushata e vaksinimit kundër gripit ka avancuar me ritme të shpejta. Brenda pesë javësh janë vaksinuar rreth 170 mijë persona, ku mbi 60 për qind e dozave janë aplikuar tek personeli shëndetësor dhe grupet me risk të popullatës. Institucionet shëndetësore nxisin të gjithë qytetarët që nuk janë vaksinuar ende të paraqiten në qendrat shëndetësore për të marrë vaksinën, duke theksuar se periudha aktuale është momenti më i përshtatshëm për ta bërë atë.
Specialistët e shëndetit publik apelojnë që të vijojë vaksinimi në mënyrë që të parandalohet përhapja e infeksioneve dhe të shmangen komplikacionet që mund të shfaqen gjatë sezonit të gripit.
(Burimi: rtsh.al)






