Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Elle’s 2025 Women in Hollywood Celebration”, Jennifer Aniston jo vetëm që u duartrokit për arritjet e saj, por mori edhe mbështetje të hapur nga miku i saj i vjetër, aktori Adam Sandler. Në momentin e dorëzimit të çmimit, Sandler shprehu publikisht miratimin e tij për lidhjen e Aniston me Jim Curtis, duke e konsideruar atë partnerin e duhur për aktoren.
“Kur jemi pranë teje, unë dhe Jackie (bashkëshortja e tij) jemi shumë të lumtur që ti dhe Jim e gjetët njëri-tjetrin dhe dashurinë që të dy meritoni,” tha aktori 59-vjeçar, duke shtuar me humor dhe përzemërsi: “Të duam, Jim.”
Sandler, mik i Aniston prej 40 vjetësh, vijoi me superlativa për personalitetin e saj, duke e cilësuar si një ndër njerëzit më të qëndrueshëm dhe më besnikë që ka njohur. “Jennifer është më e mira në kaq shumë mënyra dhe një nga njerëzit më të palëkundur që kam takuar ndonjëherë,” u shpreh ai, duke kujtuar se gjatë gjithë këtyre viteve e ka parë të zemërohej “vetëm dy herë e gjysmë”.
“Jennifer është e bukur, këtë e dinë të gjithë. Ajo na bën të buzëqeshim dhe të qeshim, ka një ngrohtësi që të pushton,” tha aktori, i cili e mbylli fjalën me vlerësimin se “Ajo është shoqja më e mirë e të gjithëve.”
Miqat e ngushtë në jetën reale dhe partnerë të ekranit, Aniston dhe Sandler kanë luajtur së bashku në disa projekte filmike, përfshirë “Just Go With It” (2011), “Murder Mystery” (2019) dhe vazhdimin e tij “Murder Mystery 2” (2023).
Jennifer Aniston dhe Jim Curtis nisën të përfliteshin për një lidhje që në korrik, por u bënë zyrtarisht çift publikisht përmes Instagramit në fillim të këtij muaji. Aniston e përshkroi Curtis si një njeri tejet të përkushtuar ndaj punës së tij.
“Ai është shumë i veçantë dhe shumë i sjellshëm. Dëshiron të ndihmojë njerëzit të shërohen dhe të lëvizin përtej traumave dhe bllokimeve shpirtërore drejt qartësisë,” shtoi aktorja. “Është e mrekullueshme t’ia përkushtosh jetën një njeriu të tillë.”
(Burimi: Page Six)






