Një deklaratë e bujshme nga ish-bashkëshorti i parë i Jennifer Lopez ka trazuar botën e showbiz-it amerikan. Ojani Noa, 51 vjeç, ka reaguar ashpër ndaj divës latine, duke e akuzuar hapur për tradhti dhe hipokrizi, pasi këngëtarja dhe aktorja deklaroi në një intervistë se “asnjë nga ish-të saj nuk e ka dashur vërtet”.
Në një bisedë me moderatorin e njohur Howard Stern, Lopez – e cila ka qenë e martuar katër herë dhe ka pasur disa lidhje të famshme – u pyet nëse ndonjëherë ishte “dashuruar me të vërtetë”. Pa ngurruar, ajo u përgjigj:
“Jo. Nuk kam qenë kurrë e dashuruar në kuptimin e plotë. Ajo që mësova është se nuk është se unë nuk jam e dashurueshme, por se ata nuk janë të aftë për të dashur.”
Por fjalët e J-Lo duket se kanë prekur në sedër ish-burrin e saj të parë, Ojani Noa, me të cilin ajo ishte martuar nga viti 1997 deri në 1998 – një nga periudhat e para të karrierës së saj në ngjitje. Përmes një postimi në rrjete sociale, Ojani reagoi ashpër:
“Mjaft na nënvlerësove. Mjaft më trajtove si fajtor ndërsa luan viktimën. Problemi nuk jemi ne, as unë. Problemi je ti. Ti ishe ajo që nuk mund të rrije dot pa e lëvizur… Ti nuk ishe kurrë besnikja që pretendoje të ishe.”
Ojani, që sot punon si trajner personal, kujtoi kohën kur u njoh me Jennifer Lopez para se ajo të bëhej superyll ndërkombëtar. Ai tha se e kishte dashur me sinqeritet dhe kishte bërë gjithçka për ta mbështetur.
“Kam qenë i dashuruar me ty. U shpërngula nga shteti për të të ndihmuar dhe për të të mbrojtur. Isha besnik, nuk të tradhtova kurrë, nuk të gënjeva. Isha më i mirë për ty, ndoshta shumë më i mirë,” – shkruan ai.
Ai shtoi se Lopez ka pasur “mjaft dashuri dhe marrëdhënie të mira”, por është ajo vetë që ka prishur gjithçka.
“Ke qenë e martuar katër herë dhe ke pasur marrëdhënie të panumërta ndërmjet martesave. Mos thuaj se askush s’të ka dashur. Unë të desha. Problemi është se ti nuk di çfarë do.”
Deklaratat e tij kanë ndezur reagime të forta mes fansave dhe mediave amerikane, duke ringjallur kujtimet e lidhjeve të shumta të J-Lo ndër vite – përfshirë martesat me Cris Judd, Marc Anthony, Ben Affleck, dhe lidhjet e shkurtra me figura të tjera të njohura të Hollywood-it.
Në rrjete sociale, shumë komentues janë ndarë në dy kampe: disa e mbrojnë Jennifer Lopez-in duke e konsideruar reagimin e Ojanit si “hakmarrje e vonuar”, ndërsa të tjerë thonë se “ai po flet më në fund me sinqeritet për një grua që gjithmonë ka luajtur viktimën”.
Ndërkohë, vetë Jennifer Lopez nuk ka reaguar ende ndaj akuzave të ish-bashkëshortit të saj, ndërsa tabloidёt amerikanё e kanë cilësuar këtë si “përplasjen më të hapur të J-Lo me të kaluarën e saj”.
(Burimi: The Sun / Howard Stern Show/ Mirror UK)






