Licencimi i JET Bank rikthehet në qendër të debatit, këtë herë me akuza të forta nga deputeti Belind Këlliçi, i cili e cilëson Shqipërinë një “terren eksperimental” ku aktivitete të dyshimta rrezikojnë të marrin edhe vulë zyrtare.
Këlliçi kërkon transparencë nga Banka e Shqipërisë për licencimin, aksionerët dhe lidhjet e mundshme me platformat Forex, duke akuzuar institucionin për shmangie të përgjigjeve thelbësore.
Por këto pikëpyetje nuk janë të reja. Redaksia jonë ka ngritur alarmin që në dhjetor 2025, duke denoncuar mungesën e transparencës, strukturën e paqartë të pronësisë dhe rreziqet që mund të sjellë një bankë plotësisht digjitale në një treg si ai shqiptar.
Sot, debati politik vetëm sa konfirmon një shqetësim më të hershëm: a po licencohet një bankë me më shumë hije sesa garanci?
Lexoni nё link investigimin e redaksisë sonë publikuar qё nё muajin dhjetor 2025:
Postimi i plotё i Belind Kёlliҫit:
Shqipëria sot është shndërruar në një terren eksperimental, ku krimi teston kufijtë e vet pa u ndëshkuar!
Ndër bizneset e preferuara të grupeve kriminale janë edhe Call Center-at që zhvasin qytetarë europianë dhe jo vetëm. Nuk po flasim per raste sporadike, por industri te mirfilltë që vijon pa u ndalur pavarësisht njoftimeve të institucioneve ligjzbatuese vendase e të huaja për të mos kryer investime në to. Por rreziku bëhet më i madh kur ky lloj “biznesi” mes shumë paralajmërimesh tenton edhe të institucionalizohet!
Këto shqetësime janë bërë publike gjithmonë nga opozita, jo vetëm për call center-at, por çdo përpjekje parandaluese ndaj aktiviteteve të dyshimta që mund të lidhen edhe me platforma të tjera të rrezikshme për sigurinë dhe kursimet e shqiptarëve.
Muajt e fundit, nga burime të hapura dhe jo vetëm, kam marrë informacion për licensimin e një banke për investime online në Shqipëri.
Për këtë arsye, në cilësinë e Deputetit të Kuvendit, i jam drejtuar Bankës së Shqipërisë me kërkesë për informacion të detajuar mbi:
– miratimin paraprak të licensës,
– aksionerët dhe burimin e kapitalit fillestar, që kërkon minimumi 10 milionë euro vetëm për sigurimin e licensimit,
– nëse Këshilli Mbikqyrës ka kryer verifikimet nëpërmjet komunikimeve me institucionet ligjzbatuese,
– dhe mbi të gjitha, nëse këta individë kanë lidhje të mundshme me platformat FOREX.
Kjo kërkesë buron nga logjika e thjeshtë se aty ku ka mjegull e tym financiar, zakonisht ka zjarr rreziku!
Përgjigjja e Bankës së Shqipërisë nuk ka adresuar të gjitha kërkesat e mia, megjithëse të qarta e të detajuara.
Më konkretisht, BSH konfirmon se ka dhënë miratimin paraprak për licensimin e JET Bank.
Sipas saj, analiza financiare është bazuar tek njëri nga ortakët, Idan Avishai.
Por pyetjes sime, nëse ortakët kanë punuar ndonjëherë në platformat Forex, BSH i përgjigjjet çuditshëm me një shmangie naive në rastin më të mirë, ose me një sofistikim të qëllimshëm në më të keqin. Sipas saj Idan Avishai dhe Saniel Sanilevich nuk kanë qenë të punësuar në “shoqërinë financiare Forex”.
Pra me këtë përgjigje, që nuk shteron pyetjen time mbi PLATFORMAT Forex dhe jo mbi ndonjë SHOQËRI FINANCIARE që quhet Forex, Banka Qëndrore o nuk ka kuptuar kërkesën, ose qëllimisht keqinformon publikun dhe Parlamentin.
Por atë që nuk e ka bërë deri më tani BSH, mund ta bëjë kushdo me një kërkim të thjeshtë në informacion publik.
Drejtues të Jet Holding dhe Constador LTD (aksioner 71,52% i Jet Bank) lidhen me Fortrade Cyprus (që fillimisht vepronte me emrin FX Lider), një platformë e raportuar që në vitin 2018 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për aktivitet të palicensuar në Shqipëri.
Po në informacion publik, lehtësisht mund të verifikohet se Jet Bank nuk ka asnjë përvojë të mëhershme, pasi nuk ka operuar në asnjë vend të botës. Nuk gjen asnjë historik të operimit të saj, me sukses a jo jashtë Shqipërisë ku sapo ka marrë licensimin.
Ky fakt merr më shume rëndësi po të kemi parasysh se nuk bëhet fjalë për një bankë tradicionale, por të parën bankë online në Shqipëri.
Mjafton kaq informacion, lehtësisht i aksesueshëm për të ngritur alarmin.
Ai që dje denoncohej si aktivitet i paligjshëm, sot rrezikon të kthehet në aktivitet të licensuar. Paradoksalisht, një bankë online e licensuar nga Banka e Shqipërisë ka aksionerë të lidhur me struktura që më parë janë denoncuar për aktivitet të paligjshëm financiar nga një tjetër institucion shtetëror shqiptar.
U takon institucioneve ligjzbatuese të verifikojnë ligjshmërinë e këtyre aksionerëve, por sot më takon të ngre shqetësimin madhor në lidhje me sigurinë financiare dhe mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë.
Si të mos mjaftonin këto dyshime, aksioneri i vetëm i JET Bank, Jet Holdings B.V, ka regjistruar në nëntor 2025 kompaninë Jet Tech në Durana Tech Park, ku tashmë të gjithë e dimë se njëra nga lehtësitë është 0 taksa!
Sistemi rrezikon edhe një herë t’i veshë mashtrimit kostum formal.
Nesër do t’i drejtohem sërish Bankës së Shqipërisë me një kërkesë të re edhe më të detajuar për informacion lidhur me verifikimet e këtij institucioni. Çdo përgjigje që do të marr, do të shkojë deri në fund të zinxhirit institucional duke ia përcjellë organeve ligjzbatuese.
Sistemi bankar nuk mund të kthehet në call center me licensë!








