Çdo foshnjë e porsalindur të pajiset automatikisht me një kartë biblioteke, pa aplikime, pa dokumente shtesë dhe pa barriera. Kjo është ideja që po fiton mbështetje të fortë në Mbretërinë e Bashkuar, e përkrahur nga disa prej autorëve më të njohur britanikë, mes tyre Sir Philip Pullman, Richard Osman dhe Kate Mosse.
Propozimi është paraqitur nga Njësia e Politikave Kulturore (Cultural Policy Unit – CPU), e cila sugjeron që anëtarësimi në bibliotekë të lidhet drejtpërdrejt me regjistrimin e lindjes. Praktikisht, sapo një fëmijë lind, karta e bibliotekës do ta presë në bibliotekën lokale, si pjesë e “paketës së mirëseardhjes” në shoqëri.
Sipas shkrimtares Kate Mosse, ideja synon të thyejë një pengesë të padukshme, por reale: ndjesinë që bibliotekat “nuk janë për të gjithë”. “Një kartë automatike u dërgon prindërve dhe fëmijëve një mesazh të thjeshtë: ju jeni të mirëpritur këtu,” tha ajo për BBC Radio 4. “Është një gjest i vogël, por me efekt të madh.”
Aktualisht, në Britani, prindërit duhet të aplikojnë vetë për kartën e bibliotekës për fëmijët e tyre, shpesh duke sjellë dokumente dhe prova adrese. CPU argumenton se ky proces, sado i thjeshtë të duket, dekurajon shumë familje, veçanërisht prindërit e rinj që janë tashmë të mbingarkuar.
Sir Philip Pullman e ka quajtur nismën “një plan optimist dhe frymëzues”, duke theksuar se leximi nuk duhet të jetë privilegj, por pjesë natyrale e rritjes. Ndërsa Richard Osman e përshkroi si “një ide që zgjeron botën e fëmijëve, në vend që thjesht t’ua përshpejtojë atë”.
Autorët dhe ekspertët theksojnë se librat nuk janë vetëm për fëmijët që dinë të lexojnë. Edhe foshnjat përfitojnë nga leximi me zë, nga zëri i prindit, ritmi i fjalëve dhe ilustrimet. Sipas shkrimtares për fëmijë Louie Stowell, kjo nismë “ua kujton të gjithëve se librat janë edhe për foshnjat”.
Plani parashikon gjithashtu krijimin e një Karte Kombëtare Biblioteke, që do t’u jepte qytetarëve akses në bibliotekat në të gjithë vendin, dhe integrimin e bibliotekave me shërbimet për familjet e reja dhe çerdhet.
Ekspertët theksojnë se një nismë e tillë duhet të shoqërohet me investime reale në biblioteka dhe staf të trajnuar, por besojnë se përfitimet afatgjata janë të mëdha: më shumë shkrim-lexim, më pak izolim social dhe një marrëdhënie më e hershme e fëmijëve me librin.
Nëse leximi bëhet pjesë e jetës që në lindje, ai ka më shumë gjasa të mbetet aty përgjithmonë.
(Burimi: BBC)






