Nga kontrasT.al
Pezullimi nga detyra i Belinda Ballukut sjell në vëmendje jo vetëm zhvillimin penal dhe institucional, por edhe një aspekt tjetër politik e administrativ, i cili shpesh qëndron në hije: roli real i Zëvendëskryeministrit në arkitekturën e qeverisjes.
Ashtu si Arben Ahmetaj, apo mё shumё Erion Braçe më pas, edhe Belinda Balluku, në cilësinë e Zëvendëskryeministres, ka qenë firmëtarja e pandashme e pothuajse të gjitha akteve të Këshillit të Ministrave. Mbi 99% e vendimeve të qeverisë mbajnë nënshkrimin e saj, duke u bërë praktikisht “dora operative” e ekzekutimit administrativ. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama prej vitesh ushtron modelin e drejtimit nga distanca: ai udhëheq, por rrallë firmos; lëviz më shumë në terren se në zyrë, dhe kur firmos, shpesh deklaron se firmos atë që i sjellin, pa u ndalur gjatë tek përmbajtja.
Tani, me pezullimin e Ballukut, situata ndryshon. Kryeministri ka vetëm dy rrugë: ose të nisë të firmosë vetë dhe t’ia shohim firmën në Fletoren Zyrtare, ose të emërojë një figurë të re, që të shërbejë si “kryeministër stilolaps”, një “presta-firmë” i ose e radhës, ndërsa ai vetë vazhdon agjendën e tij më të gjerë politike, ndërkombëtare dhe mediatike.
Por këtu qëndron thelbi i çështjes. Parimi juridik i delegimit të kompetencave nuk e shfajëson kurrë organin që delegon. As kryeministrin Rama. Deleguesi mbetet përgjegjës për firmat e deleguara, deri edhe penalisht, pasi duhet të mbikëqyrë veprimtarinë e të deleguarit. Pra, edhe kur një vendim firmoset nga një zëvendës apo nga një ministër, barra ligjore dhe morale e përgjegjësisë kthehet te Kryeministri—sepse delegimi nuk është heqje dorë nga përgjegjësia.
Dhe çfarë është më e rëndësishmja: edhe sikur “deleguesi” nesër të dalë e të thotë “nuk isha unë, ishte ai/ajo që firmosi pas shpinës sime”, kjo alibi morale nuk ka peshё juridike. Madje edhe opinioni publik mund ta besojë një herë, ndoshta dy, por jo pafundësisht. Sepse numri i zëvendësve që “hanë pa pyetur frutat e shportës së Kryeministrit” po vjen nё rritje—dhe herët a vonë barra e tyre do shkarkohet për të rënduar pikërisht aty ku duhet.
A është ky momenti kur karrigia e Kryeministrit po lëkundet? Koha do ta tregojë. Por një gjë është e sigurt: vendimet e mëdha të shtetit, ato që njihen si VKM, kanë nevojë për nënshkrime që mbajnë peshën e stilografit me mandat—jo vetëm gjurmёt e kaskaderit kryeministër.






