Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) për vitin 2026 është formuar zyrtarisht sot, pas hedhjes së shortit të zhvilluar në Presidencë, sipas afateve kushtetuese. Kryetar i KED për vitin e ardhshëm do të jetë gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda, në përputhje me parashikimet e Kushtetutës që vendosin përfaqësuesin e Gjykatës së Lartë në krye të këtij institucioni.
Shorti përcaktoi përbërjen e plotë të Këshillit me 9 anëtarë të rinj dhe 9 zëvendësues, të cilët do të ushtrojnë mandatin njëvjeçar duke filluar nga 1 janari 2026.
KED ka një rol kyç në sistemin e drejtësisë: verifikon ligjshmërinë, vlerëson kriteret profesionale e morale dhe rendit sipas meritës kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Ky proces është vendimtar, pasi filtrimi i bërë nga KED përcakton cilësinë dhe integritetin e emrimeve në dy nga institucionet më të rëndësishme të shtetit.
Përbërja e KED 2026 sipas shortit
Gjykata Kushtetuese
– Fjona Papajorgji – Anëtare e përhershme
– Marjana Semini – Anëtare e përhershme
– Gent Ibrahimi – Anëtar zëvendësues
Gjykata e Lartë
– Ilir Panda – Anëtar dhe Kryetar i KED 2026
– Valbon Çekrezi – Anëtar zëvendësues
Prokuroria e Përgjithshme
– Alfred Progonati – Anëtar
– Anila Leka – Anëtar zëvendësues
Gjykatat e Apelit
– Ornela Naqellari – Anëtare
– Iliriana Olldashi – Anëtare
– Selvie Gjoçaj – Zëvendësuese
Prokuroritë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm
– Altin Binaj – Anëtar
– Afërdita Ndoj – Anëtare
– Arben Qosja – Zëvendësues
Gjykata Administrative
– Klodiana Veizi – Anëtare
– Bezart Kaçkini – Zëvendësues
KED, sipas Kushtetutës, përbëhet çdo vit nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, duke përfshirë gjyqtarë dhe prokurorë nga nivele të ndryshme të sistemit. Asnjë nga anëtarët nuk duhet të ketë masa disiplinore dhe mandati është njëvjeçar. Shorti organizohet çdo vit nga Presidenti i Republikës midis datave 1–5 dhjetor, në prani të Avokatit të Popullit, i cili merr pjesë si vëzhgues.
Një vit i rëndësishëm për institucionet e drejtësisë
Formimi i KED për vitin 2026 vjen në një moment ku pritet që tё paktёn njё vakancё aktuale nё Gjykatёn Kushtetuese të plotёsohet. Përzgjedhja e kandidatëve për Kushtetuesen është një proces me peshë të madhe politike e institucionale, pasi nga filtrimi i KED-it varet cilësia e gjyqtarëve që do të vendosin për çështjet më të rëndësishme kushtetuese në vend.
Kryetari i ri, Ilir Panda, do të udhëheqë një prej proceseve më të rëndësishme të vitit 2026 për drejtësinë shqiptare, duke garantuar — sipas ligjit — transparencë, meritokraci dhe integritet në vlerësimin e kandidatëve për pozicionet më të larta të sistemit.
Me formimin e trupës së re për vitin 2026, institucionet e drejtësisë hyjnë në një fazë të re intensive, ku KED do të ketë një rol të padiskutueshëm në garantimin e standardeve të larta për emërimet në krye të sistemit.






