Ken Carson, i njohur në mbarë botën si partneri i përjetshëm i Barbie-t, feston 65-vjetorin e tij. Emri i plotë i kukullës është Kenneth Sean Carson dhe ai u pagëzua sipas djalit të themeluesve të Mattel, Ruth dhe Elliot Handler. Ken u hodh në treg dy vjet e dy ditë pas Barbie-t – çka do të thotë se ajo është “më e madhe” se ai.
I krijuar nga vetë Ruth Handler, Ken u prezantua me sloganin e thjeshtë: “Ai është një kukull. I dashuri i Barbie-t”, frymëzuar pjesërisht nga personazhi Dobie (Dwayne Hickman) në serialin e viteve ’60 The Many Loves of Dobie Gillis.
Sipas historisë zyrtare, Ken “lindi” më 11 mars 1961 në Willows, Wisconsin, nën shenjën e Peshqve. Ashtu si Barbie, edhe ai është shndërruar vazhdimisht, duke u tregtuar me stile dhe koleksione të ndryshme veshjesh. Ken është zakonisht bjond, por versioni i parë kishte flokë më të errët, një kostum banje të kuq, sandale prej tape dhe një peshqir të verdhë. Ndryshe nga Barbie, flokët e tij janë të integruara në kokë, pasi modelet e para me fije individuale rezultuan shumë të brishta.

Me gjatësi rreth 30 centimetra – një centimetër më i gjatë se Barbie – fiziku i tij ka nxitur herë pas here debate, përfshirë edhe kritika nga psikologia e Universitetit Yale, Kelly Brownell.
Që nga debutimi, Ken është shfaqur në rreth 40 versione të ndryshme dhe me mbi 200 pamje. Ai ka “provuar” profesione të panumërta: nga pilot, mjek dhe marinar, te kauboj, roje plazhi dhe yll roku. Një nga modelet më të diskutuar ishte Fashion Earring Ken i vitit 1993, i cili fitoi popullaritet të madh në komunitetin gej.
Historia e tij me Barbie-n ka pasur edhe kthesa dramatike. Në vitin 2004, Mattel njoftoi “ndarjen” e çiftit për shkak të hezitimit të Ken për t’u martuar, duke pezulluar edhe prodhimin e versioneve të reja. Por vetëm dy vjet më vonë, në 2006, u bë e ditur se ata ishin rikthyer bashkë.
Në vitet e fundit, Ken ka përforcuar statusin si ikonë globale. Kukulla LeBron James Kenbassadors u lançua si pjesë e koleksionit Barbie Signature, ndërsa linja Kenbassadors synon të nderojë figura që kanë ndikuar kulturën pop.
Një libër koleksionues i botuar në nëntor 2025, “Unë jam Ken. Histori dhe Stil” nga historiani i modës Massimiliano Capella, i hedh një vështrim të ri evolucionit të “amerikanit ideal”.
Së fundmi, Ken është zgjedhur ambasador i platformës së udhëtimeve Expedia dhe u shfaq edhe në reklamën e Super Bowl LX me titull “Ken’s Going Places”.
“Që nga debutimi i tij në vitin 1961, Ken ka treguar se di të fitojë zemrat duke mbetur besnik ndaj personalitetit të tij argëtues dhe energjik,” tha Nathan Baynard, nënkryetar dhe drejtues global i markës Barbie në Mattel. “Jemi krenarë të festojmë 65-vjetorin e tij si një moment ripërtëritjeje, ndërsa ai hyn në një epokë të re përtej botës së lodrave.”
Për më shumë se gjashtë dekada, Ken ka qenë simbol i stilit kalifornian dhe i një bote plot imagjinatë – duke dëshmuar se edhe një kukull mund të bëhet pjesë e historisë së kulturës pop.
(Burimi: ANSA)






