Kina po shtrëngon gjithnjë e më shumë hapësirat ku komuniteti LGBT+ ka jetuar dhe është shprehur lirshëm ndër vite. Goditja më e fundit erdhi këtë javë, kur kompania Apple konfirmoi se, me kërkesë të autoriteteve kineze, ka hequr nga App Store dy prej aplikacioneve më të mëdha të takimeve për komunitetin queer, Blued dhe Finka.
Të dyja këto platforma kanë qenë për vite të tëra vende të rëndësishme ndërveprimi për personat LGBT+, ndërsa Blued është shkarkuar dhjetëra milionë herë në të gjithë vendin.
Eksperti i kulturës queer në Kinë, Bao Hongwei nga Universiteti i Nottingham, e cilëson këtë zhvillim si një “ndryshim sizmik” në qasjen e qeverisë kineze, duke kujtuar se dikur autoritetet madje e mbështesnin publikisht Blued. Në vitin 2012, ish-kryeministri Li Keqiang u takua personalisht me drejtorin e kompanisë, çka i dha projektit legjitimitet shtetëror.
Sot, zhdukja e këtyre aplikacioneve dërgon një mesazh të qartë dhe të ftohtë tek mijëra anëtarë të komunitetit: se nuk mund të jetojnë hapur jetën e tyre personale dhe të ndjekin lirisht dëshirat e tyre.Ky veprim nuk është i izoluar, por pjesë e një fushate më të gjerë shtetërore që po prek çdo formë të kulturës queer në vend.
Gjatë muajve të fundit, autoritetet kanë goditur rrymën letrare shumë popullore të njohur si Danmei, histori romantike mes meshkujsh, duke arrestuar autorё dhe duke mbyllur disa faqe të mëdha online.
Në kinema, filmi horror ndërkombëtar “Together” u shfaq i censuruar, pasi skena e martesës së një çifti gay u zëvendësua digjitalisht me një çift heteroseksual.
Ndërkohë, platforma Weibo ka fshirë imazhet virale të ikonёs transgjinore dhe balerinës së njohur Jin Xing, e cila valëvit flamurin me ngjyrat e ylberit. Performancat e trupës së saj të vallëzimit janë anuluar në të gjithë vendin, pa dhënë asnjë shpjegim.
Paralelisht, hapësirat fizike të komunitetit janë shuar njëra pas tjetrës: Shanghai Pride u mbyll në vitin 2020, Qendra LGBT e Pekinit mbylli dyert pas 15 vitesh aktivitet në vitin 2023, ndërsa në qershor të vitit 2024 u mbyll edhe Roxie, i vetmi bar zyrtarisht lesbik në Shangai, nën presion të autoriteteve.
Në një kohë kur vendet fizike janë rralluar deri në zhdukje, interneti mbeti strehë e fundit e sigurt. Me mbylljen e aplikacioneve Blued dhe Finka, edhe ajo dritare po mbyllet me shpejtësi, duke krijuar ndjenjën se komuniteti po humbet zërin e vet publik.
Sipas analistëve politikë, masat nuk lidhen vetëm me orientimin seksual, por janë pjesë e politikës së Presidentit Xi Jinping për “prosperitet të përbashkët”, e cila po përdoret për të ushtruar presion për uniformitet social dhe rikthim te vlerat tradicionale të familjes.
Me rënien e lindjeve dhe ngadalësimin e ekonomisë, qeveria po përpiqet të inkurajojë çiftet heteroseksuale të krijojnë familje dhe të kenë më shumë fëmijë, ndërsa komuniteti LGBT+ shihet si një element që nuk përputhet me këtë axhendë.
Në klimën aktuale nacionaliste pas pandemisë, kultura queer shpesh portretizohet si ndikim perëndimor dhe potencialisht destabilizues.
Edhe pse homoseksualiteti është dekriminalizuar që në vitin 1997 dhe që nga viti 2001 nuk konsiderohet më sëmundje mendore, ekspertët thonë se vitet e fundit hapësirat e lirisë janë tkurrur dukshëm. Politika e dikurshme zyrtare e “Tre Jo-ve” – as miratim, as kundërshtim, as promovim – duket se ka lënë vend për një qasje shumë më represive.
“Ka një ndjesi të qartë se është bërë gjithnjë e më e vështirë të jesh hapur gay në Kinë”, shprehen studiuesit, duke paralajmëruar se kjo prirje po çon drejt një realiteti ku identitetet queer fshihen përsëri në heshtje dhe frikë.
(Burimi: France 24 — përktheu dhe përshtati në shqip kontrasT.al)






