Kina ka prezantuar centrifugën hiper-gravitacionale më të fuqishme në botë, të quajtur CHIEF1900, një pajisje që pritet të ndryshojë mënyrën se si testohen materialet dhe teknologjitë për mjedise ekstreme – nga brendësia e planetëve deri te ndërtimet për Hënën dhe Marsin.
Makina është zhvilluar nga Akademia Kineze e Shkencave dhe operohet nga Instituti i Kërkimeve Fizike dhe Kimike (IPCR). Ajo tejkalon me rreth 50% kapacitetin e rekordit të mëparshëm, CHIEF1300, gjithashtu i ndërtuar në Kinë, duke u bërë pajisja më e avancuar e këtij lloji në nivel global.
CHIEF1900 gjeneron një forcë të kombinuar prej 1900 g-tonësh, që do të thotë se shumëfishon gravitetin në raport me masën që rrotullon. Këtë e arrin përmes një krahu rrotullues 12 metra të gjatë, i aftë të krijojë forca jashtëzakonisht të mëdha graviteti në një hapësirë relativisht të vogël. Për studiuesit, kjo do të thotë se mund të simulojnë kushte që zakonisht gjenden vetëm thellë brenda planetëve ose gjatë misioneve hapësinore, pa u larguar nga laboratori.
Një nga risitë kryesore të CHIEF1900 është monitorimi në kohë reale gjatë eksperimenteve – diçka e rrallë kur punohet me forca kaq ekstreme. Kjo lejon që teste që dikur kërkonin misione hapësinore ose eksperimente të kushtueshme në terren, të realizohen tani me saktësi laboratorike.
Sipas shkencëtarëve kinezë, centrifuga e re mund të “kompresojë kohën përmes gravitetit”: procese natyrore që zakonisht zgjasin vite apo dekada, si ngjeshja e tokës ose shkëmbinjve nën gravitet planetar, mund të simulohen brenda orësh ose ditësh. Kjo hap horizonte të reja për projektimin e strukturave dhe materialeve që duhet të përballojnë stres afatgjatë në mjedise ekstreme.
CHIEF1900 do të përdoret për kërkime në mekanikën e shkëmbinjve, migrimin e lëngjeve dhe rrjedhat shumëfazore – fusha që zakonisht studiohen në laboratorë nëntokësorë ose përmes fushatash të shtrenjta në terren. Sjellja e këtyre testeve në një ambient të kontrolluar rrit saktësinë, mundёsinё pёr pёrsёritje dhe ul ndjeshëm kostot.
Përtej përfitimeve shkencore, zhvillimi i CHIEF1900 shihet edhe si një hap strategjik që forcon aftësinë e Kinës për të kryer eksperimente të avancuara pa u varur nga infrastruktura e huaj. Në një kohë kur gara për eksplorimin hapësinor po intensifikohet, kjo makinë i jep Pekinit një avantazh të dukshëm në projektimin e teknologjive për të ardhmen jashtë Tokës.
(Burimi: Përshtatur nga Interesting Engineering)






