Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka votuar sot në unanimitet kandidaturën e Joni Ketës për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke i hapur rrugë një mandati të ri 5-vjeçar në krye të strukturës hetimore që asiston SPAK-un në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Keta, i cili deri më tani ka shërbyer si zëvendësdrejtor i Byrosë, u propozua nga Prokuroria e Posaçme në përfundim të një procesi që zgjati disa muaj dhe që përfshiu shtatë kandidatë nga fusha e prokurorisë dhe e policisë. Përzgjedhja e tij vjen pas përfundimit të mandatit të ish-drejtoreshës Aida Hajnaj.
Edhe pse vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të KLP-së, institucioni ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar në faqen e tij, çka e lë procedurën formalisht të paqartësuar për publikun deri në daljen e deklaratës institucionale. Megjithatë, votimi unanim i anëtarëve për kandidatin e propozuar nga SPAK shihet si një sinjal i qartë i mbështetjes institucionale për vijimin e linjës së deritanishme të drejtimit të BKH-së, sipas vullnetit tё vetё SPAK.
Procesi i përzgjedhjes, sipas të dhënave të bëra publike në ditët e kaluara, është shoqëruar nga monitorimi i partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian.
Marrja e drejtimit nga Keta pritet tё tregojё rezultatet nё vijim, nёse do shenjojё fillimin e një kapitulli të ri për BKH-në, institucion që ka rol thelbësor në kryerjen e hetimeve proaktive, analizën financiare dhe mbledhjen e provave për çështjet e ndjeshme të drejtësisë së re.






