Transformimi i sistemit ligjor shqiptar shënoi kthesë në vitin 1929, duke lënë pas trashëgiminë osmane dhe copëzimin juridik sipas përkatësive fetare.
Më 1 prill të vitit 1929 hyri në fuqi Kodi Civil Shqiptar. I frymëzuar nga modelet më të përparuara franceze dhe zvicerane, ky kod vendosi individin si shtetas përpara ligjit, duke zëvendësuar statusin e dikurshëm të “besimtarit”.
Deri në atë kohë, jeta private rregullohej nga gjykatat e Sheriatit dhe ato peshkopale. Me konsolidimin e shtetit shqiptar nën drejtimin e Ahmet Zogut, lindi nevoja për një ligj unik që do të bashkonte të gjithë shqiptarët nën një rregullator të vetëm.
Ai solli ndryshime rrënjësore, si: sanksionoi martesën civile, ndaloi poligaminë dhe rriti moshën e martesës, duke mbrojtur familjen dhe dinjitetin e gruas. Për herë të parë, gruaja shqiptare fitoi të drejtën e pronës dhe të divorcit gjyqësor.
Edhe pse më vonë regjimi komunist bëri ndryshimet e veta ideologjike, struktura bazë e kodifikimit civil modern në Shqipëri e ka zanafillën pikërisht te ky vizion i vitit 1929.

(Burimi: atsh)






