Dy vendime të njëpasnjëshme gjyqësore në SHBA kanë tronditur një nga industritë më të fuqishme në botë dhe kanë ndezur një alarm të fortë për prindërit: rrjetet sociale mund të jenë të dizenjuara qëllimisht për të krijuar varësi tek të rinjtë dhe për të ndikuar negativisht në shëndetin e tyre mendor.
Në Kaliforni, një juri vendosi se kompanitë si Meta dhe YouTube kishin dështuar të mbronin një të re, tashmë 20 vjeç, e cila argumentoi se platformat ishin ndërtuar për ta bërë të varur, duke i shkaktuar probleme si ankth, dismorfi trupore dhe mendime vetëdëmtuese. Gjykata urdhëroi pagesën e 3 milionë dollarëve dëmshpërblim, ndërsa më herët ajo kishte arritur marrëveshje edhe me Snap Inc. dhe TikTok.
Ky vendim erdhi menjëherë pas një tjetër ҫёshtjeje në New Mexico, ku një juri konstatoi se Meta kishte shkelur ligjin duke mos mbrojtur fëmijët nga grabitqarët seksualë në platformat e saj. Kompanitë kanë kundërshtuar vendimet dhe kanë paralajmëruar apelim, por dëmi reputacional tashmë duket i madh.
Shumë analistë e kanë quajtur këtë një “moment Big Tobacco” për industrinë e rrjeteve sociale – një krahasim me periudhën kur kompanitë e duhanit u detyruan të pranonin publikisht dëmet e produkteve të tyre. Kёto vendime vulosёn faktin se platformat nuk janë thjesht mjete komunikimi, por sisteme të dizenjuara për të mbajtur përdoruesit të lidhur sa më gjatë, shpesh në kurriz të mirëqenies së tyre.
Sipas autores dhe profesoreshës Kara Alaimo, ky zhvillim duhet të shërbejë si një moment reflektimi për familjet. Ajo sugjeron që prindërit të mos fokusohen vetëm te kufizimet, por të nisin një dialog të hapur me fëmijët për mënyrën se si rrjetet sociale i bëjnë të ndihen.
Studimet dhe analizat e fundit tregojnë se ndryshe nga perceptimi i zakonshëm, përdorimi i këtyre platformave nuk sjell gjithmonë kënaqësi, por shpesh lë pas një ndjesi boshllëku apo pakënaqësie. Kjo lidhet me mënyrën se si algoritmet furnizojnë vazhdimisht përmbajtje, duke mos dhënë kurrë një “sinjal ndalimi” për përdoruesin.
Në këtë kontekst, ekspertët sugjerojnë një qasje më aktive nga prindërit: krijimin e rregullave të qarta për përdorimin e pajisjeve, kufizimin e tyre gjatë natës, zhvendosjen e përdorimit në hapësira të përbashkëta dhe inkurajimin e aktiviteteve alternative jashtë ekranit. Një tjetër element i rëndësishëm është bashkëpunimi me prindërit e tjerë, për të shmangur presionin social që i shtyn fëmijët drejt rrjeteve.
Ndërkohë, debati mbetet i hapur edhe në nivel shoqëror dhe politik, me disa vende që tashmë po shqyrtojnë kufizime më të rrepta për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit.
Këto vendime gjyqësore nuk janë vetëm një goditje për industrinë teknologjike, por një sinjal i fortë për familjet: mënyra se si fëmijët përdorin teknologjinë nuk mund të lihet më në autopilot.
(Burimi: CNN)






