Sot në mesditë, Gjykata Kushtetuese publikoi një njoftim zyrtar për mediat, ku bëri të ditur zhvillimet më të fundit në lidhje me shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, lidhur me pezullimin nga funksioni të ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, masë e vendosur nga GJKKO me kërkesë të SPAK.
Në komunikatën zyrtare të Gjykatës Kushtetuese thuhet:
“Kolegji i Gjykatës u mblodh sot në datën 02.12.2025, sipas planifikimit, për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore.”
Çfarë do të thotë ky vendim?
Ky vendim nuk nënkupton se kërkesa e Kryeministrit është pranuar, por vetëm se kolegji prej tre gjyqtarësh nuk ka marrë dot një vendim unanim dhe ka vendosur t’ia kalojë vendimmarrjen Mbledhjes së Gjyqtarëve.
Sipas nenit 31, të ligjit pёr organizimin dhe funksionimin e Gjykatёs Kushtetuese, kolegji shqyrton vetëm nëse kërkesa plotëson kriteret formale të pranueshmërisë. Kur nuk ka unanimitet, çështja i kalon Mbledhjes së Gjyqtarëve:“Në të gjitha rastet, kur ndonjë nga gjyqtarët e kolegjit nuk është i një mendimi me të tjerët, kërkesa i kalon për shqyrtim paraprak Mbledhjes së Gjyqtarëve.”
Kjo do të thotë se vendimi përfundimtar për pranim apo mospranim të kërkesës do të merret jo nga 3 gjyqtarë, por nga trupa e plotë e Gjykatёs Kushtetuese, me shumicë votash.
Çfarë do të shqyrtohet tani?
Mbledhja e Gjyqtarëve nuk do të hyjë ende në themelin e çështjes — pra në argumentet dhe pretendimet për pezullimin nga detyra — por vetëm do të vlerësojë nëse kërkesa e Kryeministrit duhet të pranohet për shqyrtim në seancë plenare.
Sipas ligjit, ekzistojnë disa rrethana për të cilat Gjykata Kushtetuese mund të vendosë moskalimin e një çështjeje në seancë plenare, pra refuzimin e kërkesës në këtë fazë paraprake. Këto lidhen me vlerësimin formal të përputhshmërisë ligjore të kërkesës dhe jo me përmbajtjen apo themelin e saj. Ligji përcakton se një kërkesë mund të rrëzohet nëse objekti i saj nuk hyn në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese; nëse nuk është paraqitur nga një subjekt i autorizuar apo i legjitimuar për t’iu drejtuar kësaj gjykate; ose nëse është depozituar jashtë afateve që parashikon ligji. Po kështu, kërkesa mund të mos pranohet nëse kërkuesi nuk ka shteruar më parë mjetet juridike të tjera efektive që sistemi gjyqësor parashikon, pra nëse nuk është ndjekur rruga e duhur procedurale para se të kërkohet ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese.
Një kriter tjetër refuzimi është ai kur Gjykata vlerëson se kërkesa është haptazi e pabazuar, pra nuk mbështetet në argumente ligjore ose nuk qëndron juridikisht.
Në përfundim, vendimi i sotëm nuk ka të bëjë me vlerësimin e këtyre arsyeve, por vetëm me faktin që tashmë trupa e plotë e gjyqtarëve do të vendosë nëse kërkesa e Kryeministrit duhet të pranohet për shqyrtim të mëtejshëm apo të refuzohet në këtë fazë paraprake.






