Qytetarët u zgjuan sot me një mesazh në telefon:
“28 janar – Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale! Respekto, ruaj dhe mbro të dhënat e tua personale. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.”
Në të njëjtën kohë, faqja zyrtare e institucionit hapet me një njoftim festiv që shpall:
“Të dhënat tona nuk janë thjesht numra… Kujdesi për to është respekt për dinjitetin e secilit.”
Humor i zi? Institucioni që ka për detyrë të mbrojë privatësinë, pёlqen shumё dhe ironinё. Ai guxon dhe hyn vetë në telefonat e qytetarëve – pa pëlqim, pa transparencë, pa shpjeguar burimin e numrave të përdorur për fushatën telefonike tё kёsaj dite kaq “festive”.
Nga i siguroi Komisioneri këta numra telefoni?
A kanë dhënë qytetarët pëlqim që të kontaktohen?
A është kjo vetë një shkelje e parimeve që institucioni reklamon se mbron?
Ndërkohë që dërgohen SMS masive për sensibilizim, qytetarët përballen çdo ditë me telefonata agresive ilegale nga call-centerat për kredi të shpejta, marketing të padëshiruar, shitje dyshekësh, fshesash me korrent, filtra uji, siguracionesh apo deri te ftesat joshёse pёr tё “investuar nё bursё”. Numrat e tyre qarkullojnë lirshëm në treg, pa asnjë ndëshkim “Komisioneri” për abuzuesit.
Aty ku duhen hetime, gjoba dhe bllokime për kompanitë që tregtojnë apo shpërdorojnë të dhënat personale, Komisioneri “mungon”.
Pёr 28 Janarin me mesazhe ilegale – Komisioneri feston!
Megjithatё, njё akt tё dobishёm publik, Komisioneri e kreu në Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Tё gjithё qytetarët morën edhe një herë të vetmin sinjal që shteti jua dërgon prej vitesh: Kujdes tё dhёnat Personale, se nuk jua mbron askush!







