Një koral me pamje thuajse surrealiste, një tufë mizash maji që mbulon horizontin dhe një merimangë e uritur janë mes imazheve më të spikatura të konkursit ndërkombëtar “Fotografi i Vitit nga Afër”, i cili këtë vit mblodhi mbi 12 mijë aplikime nga 63 vende të botës.
Në edicionin e shtatë të garës, fotografitë u vlerësuan nga një juri e përbërë nga fotografë profesionistë, natyralistë dhe redaktorë, ndërsa konkurrimi u nda në 11 kategori – nga kafshët dhe insektet te fotografia nënujore, bimët dhe kërpudhat.

Fitues absolut u shpall imazhi “Fractal Forest”, një fotografi nënujore e një korali të butë në formë lulelakre, realizuar nga australiani Ross Gudgeon në Ngushticën Lembeh të Indonezisë. Fotografia i siguroi atij çmimin kryesor prej 2,500 paundësh (rreth 3,420 dollarë).

Gudgeon shpjegoi se korali mori emrin nga polipet e tij të shumta, të rrumbullakosura, që krijojnë një strukturë të fryrë dhe pothuajse abstrakte. Për ta realizuar, ai përdori një lente makro të zgjatur, duke fotografuar nga brenda degëve të koralit. Ngushtica Lembeh njihet si një nga zonat më të pasura për biodiversitet dhe një destinacion i preferuar për fotografët nënujore, edhe pse ndodhet pranë një porti të madh.
Në kategorinë e insekteve triumfoi fotografia “Ushtria Blu” e hungarezit Imre Potyó, e cila paraqet miliona miza maji mbi lumin Danub, pranë qytetit Szentendre. Sipas autorit, rikthimi i kësaj specieje të rrezikuar mund të lidhet me përmirësimin e cilësisë së ujit, pasi dikur ishte zhdukur nga lumenjtë e Evropës Qendrore për shkak të ndotjes.

Potyó e realizoi fotografinë nga brenda lumit gjatë verës së vitit 2024, duke përshkruar një skenë ku retë e insekteve pushtuan restorantet, baret dhe koncertet buzë lumit. Dritat i tërhiqnin mizat, të cilat shpesh mbeteshin të bllokuara dhe përfundonin në asfalt – një spektakël njëkohësisht mahnitës dhe shqetësues.
Konkursi vlerësoi edhe talentet e reja. Amerikani 14-vjeçar Jameson Hawkins-Kimmel fitoi vendin e tretë në kategorinë për të rinjtë me fotografinë “Shkëlqimi i Smeraldit”, që paraqet një bretkosë peme kubaneze të fotografuar në oborrin e shtëpisë së tij në Florida.

Ndërkohë, fotografi Pedro Luna kapi një flutur nate – specie vendase në Azi, por tashmë pushtuese në Katalonjë të Spanjës – duke nxjerrë në pah kontrastin mes natyrës dhe ndikimit të aktivitetit njerëzor.
Bashkëthemeluesja e konkursit, Tracy Calder, e cilësoi këtë si edicionin më konkurrues deri më tani. Duke folur për fotografinë fituese, ajo theksoi se imazhi “tregon gjithçka që fotografia nga afër mund të arrijë: një perspektivë të paprecedentë që zbulon bukurinë e fshehur në një subjekt të njohur”.
Sipas saj, juria mbeti e mahnitur nga aftësia e fotografëve për të sjellë në fokus një botë të padukshme për syrin e lirë, duke e kthyer të voglën në diçka madhështore.
(Burimi: CNN)






