Nga kontrasT.al
Dita e djeshme, 3 dhjetor 2025, solli një tjetër vendim të Këshillit të Ministrave që u përhap me shpejtësi pothuajse në çdo media: emërimin e Xheni Beqajt në krye të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Vendimi është i qartë në formë dhe i thatë në përmbajtje, siç janë zakonisht aktet zyrtare: “Z. Xheni Beqaj emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. Ka kaq pak rreshta, por brenda tyre është ngjeshur një histori shumë më e madhe se thjesht emri i një drejtori të ri.
Mediat dhe opinioni publik u ndalën në një pjesë tashmë të njohur: kush është Xheni Beqaj? Dhëndri i Xhevdet Troplinit, kreut tё klanit “Poja” në Durrës, një figurë e përfolur prej vitesh dhe e akuzuar nga opozita për lidhje me botën e krimit. Profili i Beqajt është gjithashtu i njohur si ish-kimist në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe më pas drejtues në Drejtorinë e Transportit Rrugor në Durrës, tё dyja poste “luksi” pёr tё marrё njё pagё shteti dhe vazhduar aktivitetin privat e politik.
Për opozitën dhe një pjesë të opinionit, ky emërim është shembulli se si bregdeti – një nga pasuritë më të mëdha kombëtare – i lihet në dorë një personi të lidhur me figura tё inkriminuara. Por opozita nuk tha: si u krijua mundësia ligjore që Xheni Beqaj të emërohej “shef i bregdetit”?
Bashkё me opozitёn, heshtja mbuloi njё informacion me vlerё qё tregon njё aferё akoma mё tё madhe. Pyetja “Si u hoq drejtori që ishte para Xheni Beqajt?” nuk u bё nga askush.
Ky ishte një nëpunës civil, pjesë e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues, i trajnuar dhe i ҫertifikuar si i tillë. Në këtë pozicion, ai nuk mund të shkarkohej sipas oreksit të qeverisë. Statusi i tij mbrohej nga ligji i nëpunësit civil dhe nga VKM-ja nr. 569 e 17 korrikut 2019. Deri më 2 dhjetor 2025, kjo VKM përcaktonte shprehimisht se marrëdhëniet e punës së drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, rregulloheshin sipas legjislacionit për nëpunësin civil. Dhe pikërisht këtu nis historia, afera ligjore e qeverisё: ajo nuk mund ta lëvizte apo shkarkonte drejtorin e bregdetit shqiptar, përpara se të lëvizte apo “shkarkonte” – vetë ligjin.
Më 2 dhjetor 2025, vetëm një ditë para emërimit të Beqajt, në Fletoren Zyrtare nr. 223 u publikua Vendimi nr. 709, datë 26.11.2025 i Këshillit të Ministrave. Ky vendim bëri një ndryshim të vetëm, por thelbësor: futi në VKM, 3 pika të reja, me nё krye pikёn 10/1, ҫelёsin e “shkarkimit”:
“Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Turizmit”.
Me këtë lëvizje “ligjore” tё qeverisё, drejtori i bregdetit nuk ishte më nëpunës civil, nuk ishte më i mbrojtur me status tё veҫantё tё fituar si “Trupё e Nivelit tё Lartё Drejtues”, pra, nuk ishte më i paprekshëm nga ndërhyrja politike. Kufiri mbrojtёs ligjor u zhvendos me një firmë, me njё VKM.
Në të njëjtin vendim, të botuar nё tё njёjtёn ditë, u shtuan kriteret e reja për emërim dhe rastet e lirim-shkarkimit, duke përfshirë arsimin, eksperiencën, kushtet e papajtueshmërisë, konfliktin e interesave, apo rastet kur drejtori shkarkohet për shkelje të rënda, mospërmbushje objektivash apo konflikt të vazhdueshëm interesi. Në pamje të parë, duket si njё rregullim i nevojshёm teknik. Në praktikë, është pikërisht kjo “qepje ligjore” që i hap rrugën një kandidati të caktuar, njё drejtori tё dёshiruar, pёr t`u vendosur në një post kyҫ, nё njё moment dhe qëllim të caktuar.
Nёse dikush mund tё dyshojё se kjo është rastësi, mjafton të shohë ritmin e lëvizjeve “ligjore”: më 2 dhjetor botohet ndryshimi në VKM – më 3 dhjetor emërohet drejtori i ri, Xheni Beqaj.
Duke parë kompetencat e saj, bëhet e qartë pse Agjencia Kombëtare e Bregdetit është një institucion që “pëlqehet shumë” nga pushteti. AKB-ja nuk është një zyrë teknike rutinë. Ajo është institucioni që ka në dorë gjithë vijën bregdetare të vendit, pasurinë më të çmuar ekonomike dhe turistike që Shqipëria zotëron. Nga menaxhimi i zonave bregdetare, te nxitja e investimeve, nga kontrolli i projekteve zhvilluese, te inspektimi i çdo aktiviteti turistik — gjithçka që prek tokë bregdetare, leje, investime apo ndërtime, kalon ose preket nga AKB-ja. Kjo e kthen agjencinë, në një portë strategjike për vendimmarrje me peshë të madhe financiare, për ndikim të drejtpërdrejtë te projektet private, publike dhe konҫesionet e ardhshme nё Shqipёri.
Se ka kёto kompetenca “shumёmilionёshe”, beteja për drejtuesin e AKB-sё nuk është thjesht teknike, por ekonomike qё tёrheq nga pas dhe interesat politike pёrmes influencёs sё parasё. Kur një institucion ka në dorë bregdetin, plazhet, lejet, inspektimet dhe të gjithë zinxhirin e zhvillimit turistik, atëherë edhe ndërhyrjet e shpejta “ligjore” me urgjencën e qepjes sё “7- VKM-ve nё njё ditё”, nuk janë dhe s’mund tё jenё rastësi, por pasqyrë e interesave të mëdha që fshihen pas këtij institucioni.
A është ky “korrupsion legjislativ”?
Juridikisht, ky term nuk nënkupton shpërblime nën dorë apo favore monetare tё drejtpёrdrejta, por një formë më të sofistikuar të abuzimit të pushtetit: ndryshimin e akteve ligjore dhe nënligjore, jo për interes publik, por për të prodhuar një rezultat të paracaktuar politik. Korrupsion legjislativ është kur rregullat ndryshohen enkas për një individ, një rast, një emërim, duke cenuar barazinë e qytetarëve përpara ligjit, statusin e administratës dhe procedurat konkurruese që mbrojnë shtetin nga kapja politike.
Në këtë rast, emёrimi i “shefit tё Bregdetit” ёshtё një shembull i pastër i këtij fenomeni: u ndryshua VKM-ja, u hoq mbrojtja e nëpunësit civil, u rishkruan kriteret, u përshtat struktura dhe u hap rruga që një ditë më pas të emërohej drejtori i “porositur” nga klani i bregdetit.
Nё fund, nuk ka rëndësi kush ishte kandidatura; rëndësi ka fakti se procedura u manipulua për të sjellë një individ të caktuar në një post të caktuar. Në një vend normal, kjo do të përbënte skandal institucional. Në Shqipëri, ende nuk gjendet një fjalë që ta përshkruajë qartë kёtё situatё korruptive kur nuk shihet ndonjё “thes” me para, por bota demokratike ia ka vendosur emrin: korrupsion legjislativ. Ndryshe nga korrupsioni klasik, ky është edhe më i rrezikshëm, sepse shemb themelet e shtetit me ndryshim tё thjeshtё rregullash – me njё ndryshim VKM-je.



© Ky ёshtё investigim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Investigimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij dhe bashkёlidhur linkun origjinal.






