Me sa duket, dita e sotme nuk ka patur zhvillime politike dhe tё drejtёsisё vetёm nga Tirana zyrtare, por ka qёnё një ditë e mbushur me zhvillime të shumta edhe pёr Republikёn e Kosovёs, e cila përjetoi dy goditje institucionale: shpërndarjen e Parlamentit dhe shkarkimin e kreut të Prokurorisë së Shtetit.
Së pari, Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit të përpjekjeve të parlamentit për të formuar Qeverinë.
Sipas Kushtetutës, Osmani është e detyruar të caktojë datën për zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 40 ditësh nga shpërndarja. Partitë politike kanë propozuar datat 21 dhe 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Derisa datat dhe emërimi zyrtar nuk janë konfirmuar, vendi ndodhet në një fazë tranzicioni ku institucionet aktuale do të veprojnë me kapacitet të kufizuar deri në formimin e parlamentit dhe qeverisë së re.
Së dyti, përballë këtyre zhvillimeve politike, sistemi i drejtësisë në Kosovë shënon një tjetër moment tё vёshtirё: Besim Kelmendi, Prokuror i Përgjithshëm, është shkarkuar nga detyra nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me pesë vota “pro”.
Në vend të tij është emëruar në detyrë Agron Qala, gjë që ka nxitur reagime qё e kanё cilёsuar vendimin si “abuziv” dhe “jashtëligjor” për shkak të mungesës së kuorimit pёr tё zhvilluar mbledhjen.
Kelmendi ka bërë me dije se do ta ankimojë vendimin në gjykatë, duke argumentuar se është informuar për shkarkimin përmes medias dhe se procedura nuk është përmbushur ligjërisht.
Ky kombinim i krizës politike dhe përplasjes në institucionet e drejtësisë përforcon ndjenjën e paqëndrueshmërisë institucionale në Kosovë. Mosformimi i qeverisë ka bërë që vendi të ngecë në proceset kyçe – si miratimi i buxhetit, reformat, dhe sidomos financimet ndërkombëtare.
Ndërkohë, ndërhyrja e Presidentes në shpërndarjen e parlamentit tregon se momenti është vendimtar: zgjedhjet e ardhshme do të përcaktojnë jo vetëm pajtueshmërinë politike, por edhe stabilitetin institucional dhe integrimin evropian të vendit.
Nga ana tjetër, debati mbi procesin e prokurorisë tregon se edhe sistemi i drejtësisë nuk ёshtё imun ndaj përplasjes politike – gjë që rrit kërkesën për transparencë, ligjshmëri dhe distancim të drejtësisë nga influencat politike.
Kosova hyn në një fazë të re – zgjedhjet e parakohshme janё vetëm fillimi i një rrugëtimi që mund të çojë në ndryshime të rëndësishme. Deri atëherë, vendi përballet me qeverisje të kufizuar, institucionet në pritje dhe një klimë të paqartë politike.






