Ish-drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, “FBI”-së shqiptare, Aida Hajnaj, pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar në BKH, pretendon të rikthehet në postin e mëparshëm drejtues, në Policinë e Shtetit. Por gara për këtë post është hapur dhe ajo pretendon që ta zërë me padinë që ka bërë në Gjykatën Administrative në Tiranë.
Një tjetër drejtuese e lartë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, Naureda Llagami ish-kryetare e KLGJ-së për 5-vjet, iu drejtua Gjykatës Administrative dhe asaj Kushtetuese, për të fituar me gjyq, një mandat 9-vjeçar në Gjykatën Kushtetuese, pasi u eliminua nga një votim në Gjykatën e Lartë.
Në Prishtinë, Besim Kelmendi, i shkarkuar para pak kohësh nga detyra e Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës, ka paditur në Gjykatën Administrative Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), për shkarkimin e tij. Madje, Kelmendi ka kërkuar që gjykata të japë masë sigurie për ta rikthyer në detyrë dhe të shfuqizojë vendimin, sipas tij të padrejtë marrë nga KPK.
Shkarkimi i kryeprokurorit vjen në një situatë të nderë politike për Kosovën, ku prej gati një viti nuk po konstituohet një parlament dhe qeveri e rregullt. Polemikat për shkarkimin e kryeprokurorit janë të natyrës politike dhe pesë anëtarët e KPK-së (nga 9 gjithsej) që shkarkuan Kelmendin, përflitet në mediat e Kosovës se kanë marrë urdhëra “politike” për shkarkimin e tij.
Në Tiranë sot zgjidhet kreu i BKH-së, proces i shoqëruar me polemika dhe aludime të ndryshme për konkurrentët për këtë post. Fakt është se procesi përzgjedhës është vonuar në kohë dhe kjo strukturë nuk ka drejtues që nga vera e këtij viti.
Po në të njëjtën situatë të polemizuar dhe komentuar nga të gjitha anët, po zhvillohet në Tiranë përzgjedhja e kreut të SPAK, Strukturës së Posaçme të Luftës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri. Mandati i kreut të ri të SPAK pritet të vendoset në datën 11 dhjetor, ditë kur përfundon detyra drejtuese e Altin Dumanit, kreut aktual që drejton strukturën që prej vitit 2022.
Gjykatat më të rëndësishme në të dyja anët e kufirit kombëtar, janë vënë në presionin e gjykimeve të personazheve “VIP” të fushës së drejtësisë. Detyrë e vështirë për të ruajtur paanësinë dhe pavarësinë në këto gjykime, kur vetë “paditësit” dhe “të paditurit” janë vetë sistemi.






