Industria franceze e verës – një prej simboleve ekonomike dhe kulturore të vendit – po përjeton një nga periudhat më të errëta në 70 vitet e fundit. Shitjet kanë rënë ndjeshëm, tarifat ndërkombëtare kanë rritur çmimet dhe korrja e vitit të kaluar ishte ndër më të dobëtat në shtatë dekada, duke futur mijëra prodhues në një betejë reale për mbijetesë.
Në Béziers, mijëra kultivues dolën në rrugë duke kërkuar një plan shpëtimi të menjëhershëm. Ajo që qëndron pas pankartave dhe protestës është një krizë e akumuluar prej pesë vitesh: tarifa 15% ndaj verës evropiane, goditjet e COVID-it, valët ekstreme të të nxehtit dhe breshërit që kanë shkatërruar vreshtat, si edhe kosto të rritura si pasojë e luftës në Ukrainë. Situata është përkeqësuar nga rënia drastike e shitjeve në tregun kinez – deri në përgjysmim – pasi Pekini vendosi tarifa të reja deri në 32.2%.
Në disa prej rajoneve më të prekura, si departamenti i Aude, prodhimi është pothuajse përgjysmuar për shkak të thatësirës së zgjatur. Prodhuesit paralajmërojnë se shumë prej tyre nuk do të arrijnë ta mbyllin vitin pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë shtetërore.
Një nga masat më të debatueshme në tryezën e qeverisë franceze është çrrënjosja e vreshtave – një hap i ashpër, por që konsiderohet i domosdoshëm për të ulur tepricat dhe për t’u dhënë frymëmarrje ekonomikisht fermerëve. Programi aktual ka çuar në heqjen e 27,000 hektarëve vreshta, me kompensim 4,000 euro për hektar. Objektivi është të arrihet deri në 35,000 hektarë të çrrënjosur, për të shmangur investimet e mëtejshme në toka që tashmë nuk gjenerojnë fitim.
Në protestën e Béziers, dëshpërimi i prodhuesve ishte i prekshëm. Një prej tyre, i cili mori fjalën , e përshkroi situatën me një sinqeritet tronditës: “Jam këtu sepse nuk kam më para. Korrja e vitit 2025 ishte më e dobëta në gjithë karrierën time, më keq se ngrica e vitit 2021. Jam para jush, por jam i shkatërruar.”
Franca, prodhuesja më e madhe e verës në botë, po përballet kështu me një krizë që rrezikon të ndryshojë përgjithmonë hartën e saj bujqësore dhe ekonomike – dhe që kërkon vendime të dhimbshme, por të pashmangshme.

(Burimi: TGcom)






