Historia tragjike e vdekjes së aktorit të njohur Matthew Perry po merr formë gjithnjë e më të qartë në gjykatat amerikane, pasi autoritetet kanë dënuar me 15 vite burg Jasveen Sangha, e njohur si “mbretëresha e ketaminës”, për rolin e saj kyç në mbidozën fatale që i mori jetën yllit të serialit Friends.
Vendimi i dhënë në Los Anxhelos konsiderohet maksimumi i mundshëm dhe vjen pas pranimit të fajësisë nga Sangha për shpërndarje të lëndës narkotike që çoi drejtpërdrejt në vdekjen e aktorit në vitin 2023. Prokuroria e përshkroi atë si një figurë që “zgjodhi fitimin mbi jetën”, duke vijuar aktivitetin e saj edhe pasi kishte dijeni për rrezikun që paraqiste droga që furnizonte.
Sipas hetimeve, Sangha dhe bashkëpunëtorët e saj i shitën Perry-t 25 flakone ketaminë për rreth 6 mijë dollarë vetëm katër ditë para vdekjes. Në ditën fatale, ajo dyshohet se kërkoi fshirjen e mesazheve për të mbuluar gjurmët, një element që rëndoi më tej pozicionin e saj në gjykatë.
Familja e aktorit reagoi ashpër gjatë seancës. Njerka e tij e cilësoi Sanghan si “një grua pa zemër”, duke kërkuar dënimin maksimal për të shmangur tragjedi të tjera të ngjashme. Edhe pse e pandehura shprehu pendesë dhe mori përgjegjësi, duke thënë se “nuk ka justifikim për atë që ndodhi”, kjo nuk ndikoi në lehtësimin e dënimit.
Rasti ka nxjerrë në pah një skemë të strukturuar furnizimi me drogë, ku përfshiheshin edhe profesionistë të shëndetësisë. Dy mjekë janë dënuar më herët për shpërndarje të paligjshme të ketaminës, ndërsa persona të tjerë, përfshirë ndihmësin personal të Perryt, presin ende vendimin e gjykatës.
Autopsia konfirmoi se aktori humbi jetën nga efektet akute të ketaminës, të kombinuara me mbytjen në vaskën e shtëpisë së tij. Ai kishte një histori të gjatë varësie, por sipas prokurorëve, u shfrytëzua në një moment dobësie nga një rrjet që synonte përfitime financiare.
Ky proces po konsiderohet si një precedent i rëndësishëm në SHBA, ku për herë të parë po trajtohet në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë përgjegjësia penale e furnizuesve të drogës në vdekjet e personazheve publikë.








